Grupi Punues për Vizat në Këshillin e Bashkimit Evropian është mbledhur sot në Bruksel ku ka diskutuar edhe për liberalizimin e vizave për Kosovën, por pa rezultat. As pas kësaj mbledhjeje, nuk është arritur një konsensus mes shteteve skeptike për t’ua siguruar lëvizjen pa viza qytetarëve të Kosovës, vendim ky që do të hynte në fuqi në 1 nëntor 2023, me funksionalizimin e sistemit ETIAS. Por, megjithatë, u tha se është bërë progres në këtë drejtim.

Pas mbledhjes së parë që zhvilloi më 13 tetor, kur shumica e vendeve anëtare të BE-së e mbështetën liberalizimin e vizave për Kosovën, Grupi Punues për Vizat në Këshillin e BE’së u mblodh e diskutoi sërish sot në Bruksel.

Temë e këtij takimi ishte lëvizja e lirë e qytetarëve të Kosovës në zonën Schengen, pa viza.

“Më 10 nëntor, Grupi Punues për Vizat i Këshillit të Bashkimit Evropian e ka mbajtur diskutimin e dytë për liberalizimin e vizave për Kosovës nën Presidencën Çeke. Shtetet anëtare diskutuan propozimin e Presidencës rreth kërkesës për ta lidhur liberalizimin e vizave për Kosovën me funksionalizimin e sistemit ETIAS. Përgjatë një diskutimi të gjatë, nuk është arritur konsensusi”, u tha në këtë deklaratë./reporteri.net