Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, deklaroi sot se është e domosdoshme shpallja e Gjendjes së Fatkeqësisë Natyre në zonat e përmbytura dhe theksoi se vendimi duhet të merret menjëherë, pasi kemi të bëjmë jo vetëm me fatkeqësi natyrore, por me një fatkeqësi natyrore të shkaktuar nga keqmenaxhimi i kaskadave prej qeverisë. Po ashtu, ai kërkoi që drejtësia të veprojë ndaj drejtuesve të sistemit elektroenergjitik, jo vetëm për aktet korruptive me energjisë, por edhe për mosnjoftimin e pushtetit vendor në zonat e përmbytura, për hapjen e tuneleve të shkarkimit.

Në një deklaratë para medieve sot, Meta tha:

“Nuk kishte si të ndodhte ndryshe kur fondi vjetor i kullimit për Shkodrën, Kukësin dhe Lezhën është vetëm 80 mijë euro, pra për të gjithë veriun, është aq sa vjedh vetëm në një ditë inceneratori i Tiranës që nuk ekziston.

Më e rënda është se KESH-i e bleu energjinë më shtrenjtë pikërisht në momentin kur dihej se kishte reshje dhe e shet shumë më lirë në bursë pikërisht në këto momente.

Dështoi në mënyrë spektakolare sistemi satelitor për të cilin u paguan 1,5 milionë euro për të parashikuar me saktësi motin dhe ndërkohë Komiteti për Plotat, për prurjet, u mblodh vetëm të shtunën kur katastrofa kishte filluar.

Është e qartë se kjo situatë rrezikon të përkeqësohet me masat e improvuara. Reshje të tjera priten dhe natyrisht se është e domosdoshme se shpallja e Gjendjes së Fatkeqësisë Natyrore duhet të bëhet menjëherë, pasi jo vetëm kemi të bëjmë me fatkeqësi natyrore, por kemi të bëjmë me një fatkeqësi natyrore të shkaktuar nga keqmenaxhimi i kaskadave tona nga qeveria, e cila duhet të dëmshpërblejë qytetarët dhe banorët për dëmet.

Dhe, është e domosdoshme që drejtësia duhet të veprojë ndaj drejtuesve të sistemit energjetik për të gjitha aktet e tyre të rënda, si korruptive, që kanë çuar në këtë situatë të pakontrolluar të menaxhimit të kaskadës ashtu edhe për moslajmërimin e autoriteteve vendore dhe të qytetarëve për t’u mbrojtur nga përmbytja.”