Ministri i Mbrojtjes, njëherësh edhe kryetari i Komitetit të Mbrojtjes Civile, Niko Peleshi, bëri të ditur se aktualisht në Shkodër dhe në Lezhë në total janë 2985 hektarë tokë e përmbytur nga uji.

Në një deklaratë për mediat, Peleshi bëri bilancin e situatës së shkaktuar nga moti i keq.

Sipas tij, në Shkodër janë 1685 hektarë tokë nën ujë. Aktualisht janë vetëm 26 familje me 99 anëtarë të evakuuar, nga 52 familje dhe rreth 318 banorë që ishin dje. Të tjerët janë kthyer në banesat e tyre.

“Janë pastruar dhe ka qarkullim normal në segmentet që lidhin Tropojën, në aksin Hani i Hotit-Tamarë-Vermosh dhe Bogë- Theth. Në akset  Kukës – Krumë, Kukës – Ura Zapodit, në aksin Kukës – Bushtricë. Po punohet dhe shumë shpejt do të jenë të lira edhe disa akse si Lezhë- Vau i Dejës, Qafa e Malit-Fierzë, Ura e Matit – Lezhë

Nuk ka pasur probleme sa i përket lëvizjes në akset e rrugëve në rajonin qendror dhe jugor të vendit.

Të gjitha bashkitë kanë patur dhe kanë në dispozicion fondin e emergjencave prej 10 milionë Euro, i ndarë në proporcion me buxhetet e bashkive. Fond i cili është parashikuar edhe në buxhetin e vitit të ardhshëm. Ky buxhet mund të përdoret për shërbime të ndërhyrjes së menjëhershme në shpëtimin e jetës së shtetasve, pronës private e publike, akordimin e ndihmës financiare për familjet, banesat e të cilëve janë dëmtuar nga përmbytjet, në aspektin ndërtimor dhe orendi shtëpiake, marrjen e masave rehabilituese në objektet infrastrukturore që përbëjnë një kërcënim serioz për jetën e njerëzve, pronat e tyre dhe mjedisin, të cilat ndikojnë në rikthimin e jetës normale për komunitetin e veprimtaritë e tij ekonomike, shpenzime të kryera për blerje karburanti dhe pjesë ndërrimi për automjete dhe makineri, të cilat përdoren për përballimin e situatave emergjente, mbulimin e shpenzimeve të tjera operative të kryera gjatë përballimit të ngjarjeve dhe situatave të emergjencës civile, blerje materialesh të ndryshme, që i shërbejnë veprimtarisë së strukturave të emergjencës civile në nivel vendor, mbajtjen në gatishmëri të infrastrukturës së ujitjes, të kullimit, të mbrojtjes nga përmbytja dhe digat e rezervuarëve në administrim të tyre”, deklaroi Peleshi.