Gjama e burrave, është një traditë që është përdorur nga burrat shqiptar vetëm për burrat e vdekur.
Rituali mortor është përdorur në regjionin e Malësisë së Madhe, Dukagjinit, Gjakovës, Iballë, Mirditë,Tropojë. Rituali nuk mund të nis, nëse të paktën nuk janë 10 burra. Sa më shumë burra që i bashkohen këtij rituali aq më i madh është respekti për të vdekurin.
Historiani shqiptar, Pjetër Marticanaj ka thënë se kjo traditë është e lidhur ngushtë me vdekjen e Skënderbeut në shek. XIV. Nga mërzia dhe inati, Princ Lekë Dukagjini kishte bërtitur me të madhe, rrihte gjoksin, ngrihte flokët dhe gërvishte fytyrën e tij. Që nga ajo kohë ky ritual është praktikuar sa herë që një person i ndershëm kishte vdekur.
Në Shqipërinë e veriut, kryesisht në regjionet e Nikaj Merturit, Dukagjinit, disa krahinave të Pukës, Malësisë së Mbishkodrës, Kosovës, etj riti i gjëmës së burrave ka filluar pas vdekjes së Skënderbeut, pra rreth vitit 1468 janë kronikat e para që raportojnë këtë zakon. Tradita ka vazhduar deri në vitin 1960.
Për herë të fundit në Nikaj Mërtur, gjëma e burrave është bërë në vdekjen e Malush Zeqirit nga fshati Peraj. Thuhet se oshëtima dhe britmat e gjëmatarëve kanë ushtuar deri në qafë të Kolçit. Ishte një ndër ngjarjet që shtyu sistemin komunist ta ndalojë këtë rit të veçantë duke e konsideruar “zakon prapanik”.
Si zhvillohet ky rit?
Gjamatarët heqin rrobat e rënda (në kohë dimri e të ftohti ), vendosin duart mbi ijet e bërrylat dhe i mbajnë hapur anash. Prijësi i gjamës, (ai zgjidhet unanimisht nga pjesëmarrësit, duke qënë më i vjetri e më i përgatituri), jep shenjë dhe fillon lëvizja, duke u përdredhur i gjithë grupi herë majtas e herë djathtas, duke u përkulur mbi shalë e duke u ngritur, duke rrahur për tokë herë njëren këmbë e herë tjetrën, duke shpërthyer në britma të gjithë përnjëherë. Pastaj, të gjithë ngrejnë kokën lart, e një dorë e vënë te goja e tjetrën te veshi, duke lëshuar ofshama dhe thërrasin emrin e të vdekurit me fuqi, e duke e zgjatur zërin. Pastaj shpërthejnë me thirrje.