Kreu i PD, Sali Berisha, ka dalë në një deklaratë për mediat këtë të hënë ku po flet për protestën e opozitës të thirrur ditën e nesërme, kur në Tiranë do të zhvillohet samiti mes BE dhe Ballkanit Perëndimor.
“Por nesër ne, populli opozitar, do të mbushë rrugët dhe sheshet e Tiranës në një shenjë proteste, në një protestë të fuqishme pikërisht në mbrojtje të vlerave evropiane, tmerrësisht të rrezikuara dhe kërcënuara nga Edi Rama dhe regjimi i tij. Çdo shqiptar që e do këtë vend, që do lirinë, dinjitetin njerëzor, të ardhmen e tij dhe të fëmijëve të tij në liri, dhe që beson se kushti i të gjitha kushteve është vota e lirë, bashkohet nesër në shesh me ne, për t’i dëshmuar, lidershipit evropian se ne jemi në një betejë me armikun e egër të votës së lirë të shqiptarëve, Edi Rama. Për t’i dëshmuar lidershipit evropian se njeriu që qëndron si përfaqësues i Shqipërisë në atë samit, e ka pushtetin të ngritur mbi dhunimin e votës së lirë të shqiptarëve. E ka pushtetin të ngritur mbi drogën, trafiqet, mbi narkoshtetin që ka ndërtuar në Shqipëri. E ka pushtetin dhe karrigen e tij të ngritur mbi vjedhjet e mëdha, të paimagjinueshme për një vend evropian, që u bën qytetarëve shqiptarë. Është e vërtetë që ai ulet aty si kryeministër i Shqipërisë, por është e vërtetë se ai ulet si kryehajdut i Shqipërisë gjithashtu.