Kreu i demokratëve Sali Berisha akuzoi Kryeministrin Edi Rama, Ministrin e Brendshëm, Bledi Çuçi dhe ish-drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Ardi Veliu si porositës të agresionit që iu bë atij gjatë protestës nga 31-vjeçari Gert Shehu. 

“Ky është një akt i përgatitur personalisht nga Edi Rama, Bledi Çuçi dhe natyrisht Ardi Veliu. Agresori është me origjinë nga Tepelena, jeton prej 20 vitesh në Tiranë, i ka shërbyer policisë kriminale në rrjetet trafikante dhe tek besimtarët e xhamisë. Ai u paraqit se zbatoi porosinë e një vëllai mysliman. Është e regjistruar ku thotë se zbatoi porosinë e një vëllai. Në fakt porosi e vëllait është një vëlla pa fe, apo që ndërron fe sa herë i nevojitet, porosia është e Edi Ramës apo ministrit të tij, Çuçi. Nuk mendoj të jetë kush tjetër përveç Ardi Veliut.”

“Këtu thuhet Vërtetim mjekësor për tu përdorur kudo që ti nevojitet, por ky vërtetim mjekësor miqtë e mi nuk ka asnjë datë. thotë u paraqit në klinikën tonë në 10 janar 2018. Por shumë i çuditshëm vërtetimi sepse thotë gjithashtu se, episodi i fundit i 10 gushtit 2022, u rekomandua të dërgohet në urgjencën psikiatrike dhe pasi mori ndihmën e parë u rikthyer në shtëpi i qetësuar. Pra ju e kuptoni se kjo nuk dëshmon asgjë tjetër, përveç faktit se qeveria e kishte bërë gati për të mashtruar, për të  justifikuar aktin kriminal të një agjenti të policisë kriminale të përdorur nga Çuçi i familjes me porosi të Ramës. Edi Rama duke dashur që të paraqesë veten duar jashtë e paraqiti veten 100% duar brenda”. E për të provuar që 31-vjeçari nuk vuan aspak nga çrregullime mendore, Berisha publikoi patentën për drejtim mjeti që agresori Gert Shehu ka marrë në vitin 2022.“Tani mund të ju them një gjë tjetër ju, shumë interesante. Ky i sëmuri kriminal i Edi Ramës, në vitin 2022. Si i sëmurë psikik nuk mund të merrte kurrë patentën”.

Sipas kryedemokratit, qëllimi i Ramës ndaj këtij sulmi kriminal që tha se iu bë gjatë protestës ishte vetëm një. “Donte me çdo kush që Sali Berisha të mos fliste sot në atë tribunë. Pasi e pa që njerëzit u mblodhën, që i dështoi çdo skenar, përdori këtë.  Ai mendoi se do të merrja një goditje dhe nuk do të mund të flisja. Dhe këtë do të mund ta mbulonte me një pistë islamike dhe në një audiencë të krishterë siç ishte samiti, do e besonte. Ishte plotësisht e kalkuluar. E thirra unë protestën, dhe ai kundëreagimin.  Ia dogja pistën islamike në miting”. Kryeministrin e paralajmëroi  se me cenimin që i bëri kodeve morale dhe politike do t’ia japë shumë shpejt përgjigjen e merituar.“ 1 po mbeti i dyti jam unë, nuk ka gjallë në botë që mund të mposhtë demokratët”.