Fjala e plotë e Kryetarit të PD, Sali Berisha, në aktivitetin e FRPD me rastin e Ditës së Rinisë, 8 dhjetor 2022.
Të dashur delegate dhe delegatë të Kuvendit Kombëtar të Forumit Rinor të PD.
I dashur Besart, kryetar i FRPD.
Të dashur drejtues të mëparëshëm të kësaj organizate, me një histori dhe të ardhme të jashtëzakonshme, me një rol sa madhor në historinë e këtij vendi, në historinë e lirisë së shqiptarëve, po kaq të madhërishëm për të ardhmen e Shqipërisë dhe Kombit Shqiptar.
Sot, ne mblidhemi në këtë Kuvend, pasi ju drejtuesit tuaj, anëtarët, anëtaret e PD, u shndërruat në fibrën më të fuqishme të rithemelimit të PD, të rivitalizimit të saj.
U shndërruat vis vitalis, të atij revolucioni i cili kishte dy qëllime madhore. Shpëtimin e PD dhe shpëtimin e Shqipërisë. Ju vini krenar, pasi keni realizuar me sukses të plotë misionin e parë. Ju vini krenar dhe më të vendosur se kurrë, më të fuqishëm, më të vendosur, në misionin tuaj të dytë, i cili është një mision i një rëndësie të jashtëzakonshme për të ardhmen e kombit shqiptar dhe të Shqipërisë.
A do mundeni ju me energjitë, me guximin, me përkushtimin tuaj të shpëtoni Shqipërinë e cila ndodhet në një rrokullisje të madhe. E cila përballet sot me pasoja të një pushtimi të brendshëm ndër më të egrit të ekzistencës sonë kombëtare.
A do mund të shpëtoni ju sot Shqipërinë, e cila është sot, vendi, shoqëria më e adresuar, më viktimë e mafias shqiptare rajonale dhe botërore?
Shtroj këtë pyetje, por bindja ime e thellë është se ju keni të gjithë potencialin, keni të gjithë energjinë, entuziazmin, guximin, forcën për të shpëtuar këtë vend, për ta vendosur atë përsëri në rrugën e të ardhmes, në rrugën e dinjitetit kombëtar, në rrugën e integrimit euroatlantik.
Asnjëherë mos harroni, se jeni trashëgimtarë të një lëvizje, e cila me një guxim e epik, e cila në kufijtë e legjendës, u përball në vitët 90 me diktaturën staliniste më të egër, më çnjerëzore, më barbare që europa kishte njohur në historinë e saj. Me diktaturën komuniste e cila në kohën kur bashkëmoshatarët tuaj mbushën, me në krye Azem Hajdarin, mbushën sheshin dhe rrugët e Qyteti Studenti.
Diktatura, korrte dhe vriste me një barbari të pashoqe, bashkëmoshatarët e tjerë që që niseshin për të arritur në botën e lirë, por mbeteshin nën breshëritë e kallashnikovëve të rojeve të vdekjes.
Megjithatë ata të rinj, ata studentë , udhëhiqeshin po nga një i ri, po nga një bashkëmoshatari juaj, Azem Hajdari, i shndërruar në 24 orë, një hero i papërsëritur në historinë e lëvizjeve revolucionare në një lider legjendar, e gjunjëzuan diktaturën dhe diktatorin.
I imponuat atij, vendosjen e pluralizmit politik në Shqipëri. Në një betejë të pashembullt në katër anët e vendit, përmbysën me votë e lirë diktaturën komuniste në Shqipëri.
Kjo është trashëgimia e juaj, e cila do ju frymëzojë ju dhe gjithë shqiptarët në betejën për liri dhe dinjitet.
Është kjo trashëgimi e juaja. E cila ju fton ju sot me guxim dhe kurajo, që të ngriheni në lartësinë e idealeve fisnike. Të ngriheni në lartësinë e idealeve fiksike të bashkëmoshatarëve tuaj 30 vite më parë.
Kështu që sot, fjala dhe kryefjala e ditës dhe e kohës është vetëm dhe vetëm një, është revolucion dhe vetëm revolucion./syri.net