Shtetet e Bashkuara të Amerikës nxitën sërish institucionet e drejtësisë të Shqipërisë për ta ngritur anti-korrupsionin si çështje qendrore, dhe për të dëshmuar se ditët e pandëshkueshmërisë po mbarojnë.

Ambasadorja e SHBA-ve në Shqipëri, Yuri Kim, publikoi sot një shkrim, ku theksoi që drejtësia shqiptare duhet ta tregojë se askush nuk është mbi ligjin, se të gjithë janë të barabartë përpara ligjit dhe përpara mundësive të drejta dhe të barabarta për sukses.

“Shtetet e Bashkuara e mbështesin luftën kundër korrupsionit me veprime të qarta. Ne financojmë reforma në drejtësi, përfshi me BE-në dhe partnerë të tjerë. Mbështesim median investigative dhe organizatat e shoqërisë civile që luftojnë korrupsionin. Përdorim shpalljet non grata dhe sanksionet ndaj aktorëve të korruptuar dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë”, theksoi ambasadorja Kim.

Ajo përmendi Urdhërin Ekzekutiv të Presidentit Biden të qershorit 2021 ndaj atyre që minojnë institucionet demokratike dhe destabilizojnë Ballkanin Perëndimor, përfshirë edhe Shqipërinë, urdhër që tashmë është përdorur për të sanksionuar aktorë të korruptuar.