Në një raport të fundit INSTAT bëri me dije se punësimi në administratën publike është rritur në mënyrë të shpejtë gjatë dekadës së fundit. Të dhënat zyrtare tregojnë se në fund 6-mujorit të parë arriti në 185,696 persona nga rreth 163,885 që u gjeten në vitin 2014.

Lidhur me këto gjetje, ka ardhur edhe reagimi nga opozita e Bashkuar.

Partia Demokratike dhe Partia e Lirisë, kanë qenë në unison dhe theksojnë se administratat po fryen për qëllime elektorale.

Zëdhënësja e PD Floriana Garo në një dalje nga selia blu ka thënë se këto nuk janë rroga që shkojnë për familjet shqiptare por “bonuse që u jepen patronazhistëve, kujdestarëve grabitqarë të zgjedhjeve vendore dhe kuvendore në shtet-rrangallën elektorale të Ramës”.

Për të njëjtën çështje foli edhe Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë Tedi Blushi.  Ai tha se vënia e shtetit në funksion të punësimit të patronazhistëve është prova më e rëndë e degradimit të administratës publike nga Edi Rama.