Një rast skandaloz ka ndodhur brenda ambienteve të Drejtorisë së Tatimeve, ku një punonjëse është përndjekur, ngacmuar seksualisht dhe dhunuar nga një koleg i saji.
Këtë të Mërkurë, emisioni “Stop” publikoi mesazhet ngacmuese të Mexhit Allushit ndaj zonjës si dhe transmetoi me video një moment ballafaqimi mes të dyve, ku Allushi pranon ngacmimin ndaj saj. Sikur të mos mjaftonte kjo, Mexhit Allushi edhe e dhunon!
Skandali thellohet edhe më tej, kur e dhunura i drejtohet për ndihmë drejtorit të institucionit Ceno Klosi. Por, ky i fundit e injoron tërësisht! Madje e pushojnë edhe nga puna.
Për emisionin “Stop”, zonja shpjegoi se si Ceno Klodi, kreu i Tatimeve e shpërfill tërësisht problemin e saj, madje i thotë se po bëhet pengesë “për vazhdimin e mëtejshëm të programit”.

“I kërkoj drejtorit tim direkt dhe i them, ju lutem sepse unë isha bashkë me një koleg tjetër që do auditonim këtë drejtori, dhe ndër të tjerash drejtori sjell edhe këtë person. I them, të lutem ‘o ço ata të dy ose ço grupin siç ishte sepse unë nuk mundem’. Drejtori menjëherë, ‘shiko se ka kaluar, është harruar, në qoftë se do ketë debate të lutem më njofto’, domethënë drejtorit tim nuk i ka interesuar kurrë cënimi i dinjitetit të punonjësve të vetë. I kam nisur e-mail në datën 21.4.2022 dhe i kam thënë të gjitha arsyet ligjore përse unë nuk dua të jem pjesë e grupit me zotërinë. Ai e dinte shumë mirë arsyen. Më kthen një përgjigje në datën 22.4.2022 dhe më thotë që kërkesa ime nuk pranohet. Dhe absurditeti vazhdon me fjalinë që po bëhesh pengesë për vazhdimin e programit. Kërkesa juaj nuk pranohet. Ju po bëheni pengesë për vazhdimin e mëtejshëm të programit”, deklaron denoncuesja.