Sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Financave Arlind Gjokutaj, së bashku me dy persona të tjerë, janë arrestuar ditën e sotme, pasi akuzohen se kanë shpërdoruar detyrën.

Ndaj tyre është ekzekutuar nga policia masa e “arrestit me burg” dhënë nga Gjykata e Tiranës, me kërkesë të prokurorisë.

Hetimet lidhen me ato të dosjes në ngarkim të Ilir Thanës, i cili u kompensua për privatizimin e një magazine shtetërore dhe trualli, pavarësisht se ishte paguar dhe herë tjetër.

Përveç Gjokutajt, në pranga u vu Fatmir Hoxha, Drejtor i Shërbimeve mbështetëse dhe çështjeve ligjore po në Ministrinë e Financave dhe Alban Ruli përmbarues gjyqësor privat.

Sipas hetimeve, këta tre persona kanë vepruar duke pranuar shpërblimin e Ilir Thanës në vlerën e rreth 82.000.000 lekëve, nga të cilat 50.000.000 lekë të kaluara në llogarinë e këtij shtetasi duke e trajtuar si pronar pa qenë në këtë status si dhe duke ekzekutuar për herë të dytë një vendim gjyqësor të ekzekutuar nga Ministria e Financave në vitin 2015.