Nga IQ (Koefiҫenti i Inteligjencës) te EQ (Inteligjenca Emocionale)

Nga Marsida Simo (Sociologe/Trajnere)

Ende në kohet e sotme i mëshohet faktit që fëmijët duhet të shkojnë në shkollë, të mbarojnë një Universitet me nota të shkëlqyera dhe më pas të dalin në tregun e punës. Nuk mund të themi se shkollimi nuk është i rëndësishëm dhe i ka humbur vlera, por nuk mjafton. Të jesh i mirë në matëmatikë, gjuhë, letërsi dhe të flasësh dy gjuhë të huaja është baza për personat të cilët kanë vizone për profesionin. Megjithatë një tjetër element që ka shumë rëndësi në këtë rrugëtim është inteligjenca emocionale. Nëse deri më sot kemi testuar fëmijët rreth IQ, do të ishtë më e këshillueshme të investonim në EQ.

Inteligjenca emocionale është aftësia për të qenë të vetëdijshëm në lidhje me emocionet. Zhvillimi i inteligjencës emocionale ndikon në vetëbesimin e fëmijës, ndjeshmërinë, aftësinë për të zhvilluar miqësi kuptimplote dhe të qëndrueshme, si dhe ndjenjën e rëndësisë dhe vlerës për ata që e rrethojnë.

Si mund t’ja nxisim fëmijës inteligjencën emocionale?

a. Së pari duhet të emërtojmë emocionet dhe t’i njohim ato.

Kjo mund të realizohet duke përgatitur disa ilustrime me figura të ndryshme ku fëmija komenton se si do të ndihet nëse do të ishte në atë situatë.

Psh. Një foto kur dikush merr një dhuratë. Fëmija pyetet se si ndihet ai kur merr një dhuratë? Më pas mund të pyetet sërish nëse ka situata të ngjashme ku ai ka këtë një emocion të tillë?

Aftësia e fëmijës për të dalluar çdo emocion të ndryshëm, ndërkohë që është në gjendje t’i artikulojë këto ndjenja do e ndihmojë atë të zhvillojë vetëdijen dhe të kuptojë më mirë emocionet edhe të njerëzve të tjerë.

b. Fëmjët mund t’i vizatojnë emocionet

Me anë të fletëve të punës të cilat mund t’i përgatisni edhe vetë tregojini fëmijëve se si fytyra dhe gjuha e trupit ndryshon sipas ҫdo emocioni. Me tej mund t’i kërkoni fëmijës ta imitojë. Fëmijët duhet të kuptojnë se jo gjithmonë fjalët tregojnë ҫdo emocion tonin.

c. Ne mund të rrisim ndërgjegjësimin emocional fëmijës duke zhvilluar biseda me tematika sociale.

Prindërit mund të nisin bisedën duke ndarë histori nga jeta e tyre apo fragmente të cilat tregojnë se si janë ndjerë apo si vepruan. Stërvitja dhe përballja e emocioneve mund ta ndihmojë një fëmijë të vogël të përballet me emocione të vështira më vonë. Me rëndësi gjatë bisedës ka pyetja

“pse” apo “si mendon ti”, kjo për të nxitur arsyetimin, dhënien e argumentit pa paragjykime dhe formësimin e opinionin vetjak te fëmija.

Aftësia e fëmijës suaj për të dalluar çdo emocion të ndryshëm, ndërkohë që është në gjendje t’i artikulojë këto ndjenja do t’i ndihmojë ata të zhvillojnë vetëdijen dhe të kuptojnë më mirë emocionet e njerëzve.

Përfitimet nga inteligjenca emocionale

-Vetëdija

Vetëdija është aftësia për të njohur emocionet e veta dhe të tjetrit, nxitësit emocionalë, pikat e forta, dobësitë, motivimet, vlerat dhe qëllimet dhe për të kuptuar se si këto ndikojnë në mendimet dhe sjelljen e dikujt. Kushdo që është i përkushtuar ndaj vetë-përmirësimit, zhvillimit personal ose qëllimit më të lartë të rritjes shpirtërore, duhet të kërkojë në mënyrë aktive të kuptojë veten. Kjo ndodh sepse vetëm kur dikush kupton se ҫfarë i mungon, përqendrohet te përpjekjet e asaj që duhet të përmirësojë.

-Kreativiteti

Inteligjenca emocionale mund të ndihmojë kreativitetin

Hulumtimet e reja tregojnë se një inteligjencë e lartë emocionale mund të përfitojë performancën krijuese. Një fëmijë mund të rrisë aftësitë e tij për zgjidhjen e problemeve duke u angazhuar në aktivitete që nxisin përdorimin e imagjinatës së tyre.

-Vetë-menaxhimi

Vetë-menaxhimi i lejon fëmijës të zhvillojë aftësinë e tij për të kontrolluar sjelljen duke rregulluar emocionet në mënyrë që mos të dëmjë veten dhe të tjerët. Gjithashtu pjesë e vetë-menaxhimit është aftësia për të vendosur dhe punuar drejt qëllimeve.

-Empatia

Empatia përmirëson aftësinë për të komunikuar me të tjerët, jo vetëm individualisht, por si pjesë e një ekipi. Kjo ndihmon të krijohen marërdhënie të shëndetshme pa paragjykuar apo përjashtuar të tjerët.