Ekspertët mendojnë se Chatbots si ChatGPT do të ndryshojnë mënyrën si jepen leksionet dhe si mësohet në universitete. Inteligjenca artificiale rrezik apo një mundësi të madhe?

Kur në fillim të muajit dhjetor Doris Weßels u fut për herë të parë tek ChatGPT, ajo e ndjeu se ky do të jetë “një moment magjik”. Profesorja e informatikës ekonomike në Shkollën e Lartë të Kielit, në Gjermani, merret prej vitesh me studimin e ndikimit që modelet gjuhësore të inteligjencës artificiale kanë në sektorin e arsimit.

Chatbot ChatGPT u bë publik më 30 Nëntor 2022 nga firma Open AI me qendër në Silicon Valley, firmë e krijuar mes të tjerave edhe nga Elon Musk. Kushdo mund të ndërveprojë online me inteligjencën artificiale (IA). Mjafton të bësh pyetje ose të japësh komanda në dritaren ku zhvillohet bisedat dhe ChatGPT të jep përgjigje (pothuajse) për gjithçka. Aty u futën brenda pesë ditësh një milionë vetë. Për të arritur këtë shifër instagramit iu deshën më shumë se dy muaj.

ChatGPT mund të japë shpjegime, të programojë dhe të argumentojë. Doris Weßels u çudit edhe vetë kur i dha IA komandat e para. “Ne hyjmë në një botë tjetër,” thotë ajo. Magjia e kësaj IA është e vështirë të përshkruhet. “Ajo duhet provuar dhe përjetuar vetë”.

A përbën ChatGPT rrezik për arsimin në universitete?

ChatGPT mund të përdoret për shembull për të shkruar tekste akademike. Mike Sharples ka gjeneruar artikullin e parë shkencor me IA, artikull që sipas tij, “arriti ta kalonte provimin e parë si artikull profesional”. Në internet janë shtuar njoftimet e dhëna nga nxënës, nxënëse dhe studentë, që thonë se kanë përdorur IA për të bërë detyrat e shtëpisë.

Kjo gjë shqetëson edhe Doris Weßels-in, e cila ka krijuar në Shkollën e lartë të Kielit qendrën kompetente virtuale me titull: “Të mësosh veten dhe të tjerët me IA”. Sipas Weßels-it, për shkollat e larta dhe universitetet ekziston rreziku i shtimit të varësisë nga industria e software-ve, e cila zhvillon sisteme gjithnjë e më të afta inteligjence artificiale, që mësohen dhe përdoren nga studentët më shpejt se sa ata që japin leksione. Shpesh studentët mësojnë nga mediat sociale në kohë reale për zhvillimet e reja. Shumë më shpejt se brezi me moshë më të madhe.