Kreu i PD i zgjedhur nga procesi i Rithemelimit, Sali Berisha i ka bërë thirrje Parlamentit Europian dhe Këshillit të Europës që të hetojë kryeministrin Edi Rama jo vetëm për çështjen McGonigal, por edhe me atë që Berisha e cilëson si “tentativë të kryeministrit për të shfarrosur opozitën në vend”.

“I bëj thirrje PE, KiE të ndërhyjnë me urgjencë në këtë situatë bllokimi dhe të krijojnë komisione hetimore për RamaGate. Ta krijojnë se Duçka nuk ka korruptuar vetëm X apo Y biznesmen në Shqipëri, por ka paguar, ka marrë peng edhe zyrtarë të lartë në vende europiane”, tha Berisha.

Teksa e cilëson Ramën “si vrarës me pagesë të pluralizmit dhe opozitës”, Berisha akuzoi kryeministrin se së bashku me këshilltarin e tij Dorian Duçka kanë kërcënuar biznese të ndryshe me Shqipëri se nëse nuk bashkëpunonin do të hynin në listën e zezë të SHBA.

“Kryeministër që paguan vrasës me pagesë kundër pluralizmit dhe opozitës së vendit të tij. Ky nuk është kryeministër, ky është krim-ministër. Veprimtaria e Rama-gate është vetëm maja e ajsbergut. E vërteta është se në thellësinë e saj, ka krime të shumëllojta.

Dorian Duçka, këshilltari personal privat i Edi Ramës, në emër të Edi Ramës, bashkë me mafiozin Agron Neza, që u paraqitej viktimave të veta si oficer i FBI-së, kalonin nga klubi në klub, nga restoranti në restorant, duke gjuajtur ku gjenin biznesmenë, për t’i terrorizuar se jeni në lista dhe se duhet të merremi bashkë tani, për të zgjidhur problemet. Përndryshe, blacklistimi është i sigurt për ju”, tha Berisha gjatë mbledhjes me deputetët nga selia blu.

Berisha u ka bërë sërish thirrje qytetarëve që të protestojnë para parlamentit ditën e enjte (23 shkurt) ku do të zhvillohet seanca e radhës parlamentare.

“Ndaj dhe nesër ju bëj thirrje qytetarëve të që protestojmë me fuqinë më të madhe përpara parlamentit. Ky është parlament i krimit”, tha Berisha. /rtsh