Sali Berisha i ka mbyllur derën propozimit të bërë nga Enkelejd Alibeaj, duke e cilësuar atë pjesë të lojës për të shkatërruar opozitën.
“Vulë ne duam prej Ramës, votuesit i duam prej Berishës. E dha një përgjigje edhe Berisha. Në qoftë se kam nevojë të bashkëpunoj me Ramën, nuk kam nevojë ta bëj këtë nëpërmjet Enkelejd Alibeajt, të bashkëpunoj me pengmarrësin dhe jo me pengun”, tha Edi Paloka.
I mandatuar më herët nga kreu i demokratëve për të negociuar me grupimin e Alibeajt për arritjen e një marrëveshje me qëllim daljen me një kandidat të përbashkët në zgjedhjet e 14 Majit, Edi Paloka thotë se platforma me tre pika e Alibeajt është hipokrizi.
“Si papritur këta pranonkan kandidatët e primares ndërkohë që atëherë kur duhet të bëheshin negociatat nuk njihnin primaret. Propozimi i tyre nuk është për bashkëpunim. Alibeaj tha të vijnë t’i marrim ne, t’i peshojmë këta kandidatët e primareve dhe të zgjedhim kë do të përfaqësojë”.
Paloka thotë se pjesë e lojës është edhe falsifikimi që sipas tij Alibeaj i ka bërë autorizimit që Lulzim Basha i delegonte këtij të fundit kompetencat e kryetarit që në 18 mars të 2022, tre ditë përpara se vetë Basha të jepte dorëheqjen.
“Nxjerrin dhe dokumente qartazi të falsifikuara, ku Basha 1 vit më parë paska firmosur, ka parashikuar që Enkelejd Alibeaj do të jetë përfaqësues i tij në zgjedhjet e 2023. Kur fillon bën poshtërsi, kalon nga një poshtërsi në tjetrën”, tha Paloka.
Demokratët e Berishës po vijojnë takimet me aleatët me qëllim daljen në 14 Maj me një koalicion të përbashkët, teksa pritet edhe vendimi i KQZ për regjistrimin në zgjedhje./tvklan