Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim u prit paraditen e sotme në selinë e Partisë Socialiste nga Sekretari i Përgjithshëm të PS, Damian Gjiknuri.
Ky i fundit ka bërë me dije se, zgjedhjet vendore të 14 Majit, situata politike dhe rekomandimet e ODIHR pas procesit të fundit elektoral, ishin kryefjala e takimit me ambasadoren Yuri Kim.
Gjiknuri ka garantuar “ambasadoren për vendosmërinë e Partisë Socialiste për të kontribuar aktivisht për një proces zgjedhor në përputhje me standardet më të mira ndërkombëtare”.
Nga ana e saj, Ambasadorja Kim ka ripërsëritur mbështetjen e SHBA ndaj Shqipërisë në përpjekjen për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
Pas takimit me Gjiknurin, ambasadorja amerikane ka mbërritur në Kryesinë e Kuvendit ku është pritur nga kreu në detyrë i PD, Enkelejd Alibeaj.
Edhe gjatë këtij takimi, zgjedhjet vendore të 14 Majin ishin në fokus të bisedës. Alibeaj dhe Kim kanë diskutuar gjithashtu edhe për rekomandimet e ODIHR, shqetësimet mbi përdorimin e administratës dhe pastërtinë e kandidatëve, shqetësime këto që siç shprehet Alibeaj, janë ngritur edhe më parë nga opozita dhe kanë shoqëruar problemarikën e proceseve të fundit zgjedhore në Shqipëri.
Alibeaj shprehet më tej se “në emër të PD garantova ambasadoren e SHBA për vullnetin e mirë tonin për t’u përfaqësuar denjësisht në këto zgjedhje duke zbatuar rekomandimet e ODIHR, duke ndarë me të shqetesime të ndryshme përfshirë dhe rolin e medias, para dhe gjatë fushatës elektorale”./rtsh