Këtë shkrim e kam shkruar në 8 mars të vitit 2017. E rilexoj dhe situata mbetet po e njëjtë.

Sot do doja shumë që unë apo shumë shoqe dhe mikesha të mia të festonim realisht! 
Jo se nuk mundemi, madje nuk duhet shumë. Një rezervim në një nga restorantet të cilat bëjnë dhe oferta interesante për këtë ditë, pak muzikë dhe bëjmë sikur jemi të lumtura. Të nesërmen do i kthehemi rutinës dhe i tregojmë njëra tjetrës me krenari se partneri mbrëmë na lahu enët një herë në vit, apo na priti me një pjatë makarona. Vetëm po të reflektojmë pak, a nuk është kjo një keqardhje për veten?! Vajza dhe gra, ne vlejmë më shumë se kaq, ndaj nuk ka ende arsye për të festuar!
Kanë kaluar shekuj dhe vajzat dhe gratë mbeten ende të diskriminuara. Nuk shoh arsye për të festuar sepse ende na ironizojnë se jemi të dobta, nuk ngrejmë dot pesha dhe s’punojmë dot çdo punë. Ku me pak kërkim do gjeni gra që punojnë kudo dhe çfardo. Me shpirtin e sakrificës i rezistojnë dhimbjes dhe varfërisë.  Jo vetëm kaq, por sot jetojmë  në kohën e teknologjisë ku forca fizike thuajse është e panevojshme pasi vihen në lëvizje makineritë. Sot më shumë se të tjerat nevojitet shkollim, dije, specializim dhe mendje inovatore.
Megjithatë ende nuk është koha të festojmë sepse kudo paragjykohemi që nuk dimë të bëjmë politikë ndaj jemi pak në numër në parlament. Faktikisht deri tani demokracia në vend është ende e çalë. 

Gjithashtu etiketohemi se duam vetëm pasurinë dhe të mirat materiale. Po t’i referohemi statistikave ka ende shumë vajza që nuk lejohen të shkollohen nga babai i tyre për shkak të mentalitetit.  Më pas nuk lejohen  të punësohen nga burri i tyre sepse sipas mendësisë së vjeter, gratë e kanë vendin në shtëpi. Ndaj rrjedhimisht si mund të kenë gratë të ardhura të mjaftueshme? Në këtë mënyrë ato do presin gjithmonë nga  babai apo partneri. Mund të na duket sikur shoqëria është emancipuar, por mjafon të shkojmë në periferi dhe do shikojmë një tjetër realitet.

Jo vetëm kaq por ne gratë tregohemi me gisht se përdorim trupin dhe joshjen. Por a nuk jetojmë në shoqëri patriarkale ku që në vogëli na mësojnë dhe na thonë kujdes nga djemtë se tundohen lehtë?
Ende nuk shoh arsye për të kërcyer  në këtë ditë sepse më dhemb shpirti për ato vajza dhe gra që sot gëzohen se burri iu lejoji të festojnë.

Si mund të pranoj lule unë,  kur asnjë lule nuk iu vu në varre vajzave të vdekura në aksidente me burra me poste. Të fshehura dhe të fshira për mos të njollosur nderin e këtyre të fundit. Po grave të tjera që nuk iu është shkuar në varrim se i prishën nderin familjes ndërsa burrat nderohet deri në detajin me të vogël?!

Po sa vajza të tjera janë kthyer në statistika për të treguar dhunën që iu ushtrohet atyre? Fundja sa embrione femra janë abortuar nga dëshira për të pasur meshkuj?
Unë nuk shoh akoma arsye për të festuar, sepse po mora leje lindje kam frikën se më heqin nga puna. Më pyesin a ke fëmijë dhe preferojnë të punësojnë një burrë. Nëse bëj karrierë më thonë jam nenë e keqe, sikur prindërimi i takon veç gruas. Por po ashtu mos harroni dhe ato gra që ngacmohen seksualisht në zyra. Dhe në fund atyre iu bëhet me gisht sepse hamendësojnë se faji i mbetet trupit të gruas.
Si pranoni ta quani festë 8 Marsin kur origjina e kësaj date është kryengritje e të drejtave të shkelura ku dhe sot shumë prej tyre na mohoen? Sa herë e keni dëgjuar fjalën “mos” dhe “ti nuk mundesh” se je grua? Po kur na thonë se shpikjet dinë t’i bëjnë veç burrat? Kujtojmë britaniken Cecilia Payne që zbuloi përbërjen kimike të diellit në vitin 1925, por profesori i saj në atë kohë e shtyu të mos i prezantonte rezultatet por meritat i mori për vete.  Po ashtu  Rosalind Frankli vonë u njoh për studimet e saj mbi strukturën e ADN-s të cilat u moren nga Watson J. dhe Cric F. pa i dhënë meritat. Po historia ka shumë raste të tilla ku burrat kanë përfituar nga puna e grave.

Jo vetëm këto, por kujtoni dhe gra të thjeshta  si gjyshja juaj. Burrat e tyre vlerësoheshin më tepër se shkonin në luftë dhe vrisnin njerëz sesa vetë ato që lindnin jetë.

Kujtoni dhe mamatë tona. Gra heroina që kurrë nuk u ankuan nga lodhja e presionit patriarkal. 
Ndaj dita e sotme nuk është akoma festë, sepse thuajse shumë pak gjëra kanë ndryshuar! Ndoshta nuk po bëj thirrje që të gjitha të dalim duke protestuar, por të paktën të heshtim dhe reklektojmë. 

Të flasim me vajzen apo miken tonë që ta duan më shumë veten. T’i mësojmë djalit atë që nëna jonë ia mohoi vëllait tonë. Kur ai të bëhet burrë mos të qeshi me shoket duke e lënë pyetjen “çfarë duan gratë?” në retorike. T’i themi djemve tanë që ne gratë duam të shihemi si njerëz dhe jo si fizik. Të kuptojmë që të gjithë jemi të ndryshëm por të barabartë pavarësisht gjinisë. Ne nuk kemi dy jetë që patriarkaliteti të na e flaki njërën tutje!

Por ju lutem vajza dhe gra, mos vononi dhe shumë shekuj!