Ata që janë prindër e dinë shumë mirë se kur bëhet fjalë për lodrat e fëmijëve kanë gati shprehjen “të dalim t`i shesim, aq shumë kemi”.

Që në momentin kur prindërit marrin vesh që një fëmijë do vijë në jetë, priren të mendojnë për të blerë mjetet e nevojshme si dhe lodrat e para.

Informacioni që kanë prindërit e rinj janë të përgjithshme, por jo konkrete duke ia lënë në dorë dhe idesë se tregu sot ofron mundësi të shumta dhe lodra pafund. Lodra shiten duke filluar që nga dyqanet e lagjes me qeset e holla plastike, e deri tek hipermarketet dedikuar fëmijëve.

Lodrat simbol

Vite më parë ndoshta edhe tani vijon mes nënave, të përcillet një lloj rituali i blerjes së lodrës së parë. Idea është të blesh një lodër në ditën kur fëmija lëviz për herë të parë në barkun e nënës. Disa prej tyre mund të blejnë një lodër pellushi, apo diçka të ngjashme, e dikush ndoshta një enë e cila është e përbërë nga një material që i rreziston kohës (bakër, argjend etj). Kjo nënkupton dëshirën për jetëgjatësi të fëmijës.

Lodrat e marketeve

Në marketet e mëdha që ofrojne mundësi zgjedhje, kanë raftet e tyre të ndara sipas moshës dhe gjinisë.

Si fillim nis me këndin e lodrave për 0-6 muaj, 6-12 muaj, e me rradhë. Sipër mund të shihni tabela informuese te cilat krijojnë lehtësi në orinetim. Për fëmijët e sapolindur nuk ka shumë nevojë për lodra. Ato mund të kthehen si çorientuese dhe zhurmuese. “Rrëk rrëket” janë ato më tipiket që mund të blihen, por e keshillueshme do ishte të zgjidhej dy-tre që bëjnë pak zhurmë dhe që janë një ngjyrshe, për shembull: një të kuqe, të verdhë, rozë. Mos kini merak nga ngjyrat edhe nëse është djalë. Përgjithsisht fëmijët tërhiqen nga ngjyrat e ndezura dhe vetëm nxisin pozitivisht.

E mira do të ishte që orientimi i zgjedhjes së lodrave mos të niste nga gjinia, por nga lodrat kreative dhe nxitëse që formësojnë inteligjencën dhe argëtimin e fëmijës. Formueset,

minilaboratorët, instrumentat muzikorë, tabelat e vizatimit dhe krijimit do të ishin një zgjedhje e mirë e cila fiton gjithmonë mbi automatikët, shpatat, pistoletat e të tilla si këto.

Lodra plastike, druri apo cope?

Fëmija ka aq shumë shpenzime sa edhe lodrat kërkojnë një buxhet më vete. Me idenë për t’i mbajtur të angazhuar, prindërit priren të blejnë pothuaj çdo muaj apo dhe më shpesh, nga një lodër të re. Marketet shesin rëndom lodra plastike të cilësisë së dobët, por që mund të jenë edhe dëmtuese. Fëmijët priren t’i fusin në gojë këto lodra dhe madje edhe t’i kafshojnë (kryesish nëse janë të vegjël). Imagjinoni një lodër që kushton minimalisht 200 lekë, sa mund të jetë kostoja e lëndës së parë, përpunimi, ambalazhimi etj? Kjo na bën të mendojmë se cilësia është më e keqja e mundshme. Megjithatë jo gjithmonë çmimi e justifikon cilësinë, por mundohuni të shihni etiketat përshkruese të cilat rendisin përbërsit dhe elementet e tjera. Më mirë pak lodra dhe të jenë cilësore sesa shumë dhe dëmtuese. Një aksion mbi kontrollin e këtyre lodrave të dëmshme është përmedur nga Inspektorati Qendror Teknik (IQT), ku janë sekuestruar më shumë se 15 mijë lodra të ndryshme në tregjet ambulante pikërisht tetorin e vitit të kaluar. Nga ana e ekspertëve të këtij institucioni është theksuar që në treg, konsumatori duhet të ketë kujdes pasi mund të blejë lodra plastike, imitime frutash, të cilat mund të jenë të mbushura me lëndë të ndryshme kimike, të dëmshme për shëndetin. Kryesish bëhet fjalë për lodrat që vijnë nga Kina, të cilat paraqisnin rrezikshmëri të lartë ndaj asfiksimit ose helmimit, shokut elektrik, dëmtimeve të ndryshme fizike apo bakteriologjike të provuara nga testimet e laboratorëve të vendeve të BE-së.

Lodrat e drurit janë një tjetër opsion i mirë të cilat nuk dëmtojnë sidomos po t’i krahasojmë me ato plastike, përkundrazi rezistojnë në kohë dhe janë më të mira. Nëse keni mundësi blini kryesisht lodra druri. Mos harroni se edhe druri ndahet nga cilësia më e dobët deri tek ajo më e mira. Ndër të tjera druri mund të lahet dhe nuk mban mikrobe sikudër plastika.

Një tjeter pjesë e lodrave mund të jenë edhe prej cope. Për fëmijë nga 6-12 muaj mund t’i blini fëmijës libra me përberje cope. Ato në brendësi kanë figura dhe janë të qendisura.

Lodrat çorientuese

Nëse në koshin e lodrave ka aq shumë të tilla sa nuk nxë më asnjë tjetër, kjo është shumë normale për prindërit me kalimin e kohës, por jo për fëmijën. Ky i fundit merr mesazhin në mënyrë indirekte se rrëmuja është normale dhe lodrat i sheh jo si një objekt më vete, por të çorganizuara. Vogëlushi mund t’i zbrazi dhe thjesht i shpërndan pa patur idenë se më kë do luaj apo çfarë do luajë. Këshillohet që prindërit t’i vendosin lodrat në një dollap më vete dhe çdo ditë t’i prezantojnë fëmijës nga dy-tre lodra të cilat ia alternon me rradhë. Javën tjetër të voglit do i duket si lodër e re. Mundohuni që mos të humbasin interesin duke ia mbushur hapësirën përreth me lodra pa fund. Nëse prindërit janë prezent në lojrat e fëmijëve mund ta mësojnë atë të argëtohet qoftë edhe me një lodër.

Çorientim ndodh edhe nga ana e prindërve nëpërmjet etiketve që iu vendosen lodrave ku përshkruhet mosha e fëmijës. Prindërit krijojnë pritshëmrinë se nëse në përshkrim lexon e njëjta moshë që i përket fëmijës së tyre, ata presin që i vogli i tyre të nisi dhe ta përvetsojë menjëherë lodrën. Kjo nuk mund të ndodhi gjithmonë me të gjithë fëmijët pasi askush nuk është njësoj. Etiketat tregojnë një moshë të përgjithshme, e cila mund të variojë disa muaj më pak ose më shumë. Nëna apo babai nuk ka përse të ngrejë shqetësime të panevojshme nëse fëmija nuk luan ashtu siç përmendet në foton ilustruese.

Lodrat dhe loja

Pothuaj të gjithë prindërit janë të zënë gjatë gjithë kohës. I vendosin fëmijës disa lodra rreth e qark dhe vazhdojnë me punët e tyre. Lini gjithçka dhe kushtojini vëmendje të voglit tuaj të paktën një orë intensive në ditë. Ju mund t’i jepni zë lodrave duke aktruar në forma të ndryshme. Kjo do t’i nxisi më shumë imagjinaten e fëmijëve. Me rëndësi është që çdo veprim që bëhet të shoqërohet me shpjegim. E folura që në foshnjëri i bën veç mirë fëmijës. Madje mund të themi se më e këshillueshme është loja sesa lodra. Merrni kuti kartoni, pjata, lugë, gota dhe krijoni diçka me to. Më pas mund të organizoni një orkestër të vogël.

Lodra që krijohen me pak shpenzime

Dikur lodrat ishin luks dhe në mungesë të tyre prindërit krijonin makina përmes kutive, kukulla me lecka dhe pambuk. Sot mund të duket demode kjo gjë, por faktikisht do ishte shumë

argëtuese. Vetem se në momentin që e krijoni, duhet ta bëni në sy të fëmijës. Duke parë procesin, i vogli e përjeton si diçka të gëzueshme dhe argëtuese.

Për fëmijët nga 12- 25 muaj prindërit mund të përgatisin gishtëza me shkronja dhe numra. Këto gishtëza krijohen me anë të letrave të cilat priten në formën e konit dhe vihen në secilin gisht. Në këtë mënyrë mësoni dhe argëtoni fëmijën. Po ashtu merrni copa të ndryshme dhe vendosni dorën brenda tyre. Flisni sikur është një kafshë e caktuar dhe formoni personazhe të ndryshme.