Sali Berisha doli nga selia blu me një thirrje drejtuar shqiptarëve, duke ftuar të rinjtë, gratë, burrat, feremerët, përfaqësuesit e biznesit dhe punonjësit e administratës që të marrin pjesë masivisht në zgjedhje për të votuar ndryshimin në 14 Maj.
“Thirrja ime është të merrni pjesë në votime, mos dëgjoni njeriun që ka frikë dhe tmerr nga vota juaj. Vetë kjo thirrje duhet të zgjojë te ju përgjegjësinë e madhe që keni ndaj vetes, familjes dhe vendit dhe duhet ta ushtroni atë përgjegjësi me votën tuaj të lirë.”
Votën kundër Edi Ramës e kërkoi si ndëshkim për mashtrimet që tha se Kryeministri u ka bërë shqiptarëve dhe për t’i dhënë fund lidhjeve që Berisha tha se kreu i qeverisë ka me bandat e krimin.
“Vota për Edi Ramën është votë për konsolidimin e narkoshtetit dhe pushtetit absolut të një njeriu të papërgjegjshëm. Populli shqiptar thotë se gënjeshtra i ka këmbët e shkurtra. Kështu provohet edhe premtimi i Edi Ramës për rritjen e rrogave, por këtë e ka provuar çdo shqiptar.“
Akuzat në adresë të kryeministrit, Berisha i vijoi edhe më herët gjatë një takimi që zhvilloi me departamentin e ‘Brain Gain’ dhe ekselencës.
“Këto 10 vite, po t’i karakterizojmë në rrafshin filozofik, kanë qenë vite të një kohe të ndaluar, në kuptimin e asaj që progresi, zhvillimi i Shqipërisë, avancimi i këtij procesi që është jetik për Shqipërinë, u ngadalësua në mënyrë të jashtëzakonshme, dhe njohu edhe prapa-kthehu.”
Berisha tha se vendi ka nevojë jetike për një elitë të re, duke ftuar të rinjtë të angazhohen në radhët e Partisë Demokratike./klan