Kryetari demokrat, Sali Berisha, dokumentoi sot blerjen masive të votave nga qeveria, duke nisur që me vendimet për pagat dhe pensionet.
“Për blerjen e votës, mbi 20 mijë qytetarë u shtuan në listën e ndihmës ekonomike në mbarë vendin dhe mbi 10 mijë të tjerë u paguan si punonjës të përkohshëm pa kontratë. Vetëm në Peshkopi u disbursuan 400 milionë lekë për individë me aftësi ndryshe.
Përveç këtyre fondeve, u përdorën edhe forma të tjera antiligjore si subvencione, prokurime, tendera për të blerë votën e shqiptarëve. Të gjitha këto në kundërshtim me Kartën e Kopenhagenit, Kodin Zgjedhor, etj.
Me qëllim të blerjes së votës, kryetari në ikje i Vaut të Dejës, subvencionoi 400 mln lekë për një kompani, akt që e ka tagër vetëm Këshilli i Ministrave dhe bazuar vetëm në ligjin e ndihmës shtetërore.
Por nuk ishin vetëm këto shuma të taksapaguesve për blerjen e votës. Kodi Zgjedhor ndalon prokurimet publike dhe koncesionet në vend, por gjatë farsës elektorale 2023 u bënë qindra tendera me një vlerë 6 miliardë lekë dhe u dhanë disa investime strategjike.
Përveç këtyre, mbi 4 miliardë lekë u tenderuan për ndërtimin e banesave nga tërmeti. U konstatuan qindra raste investimi me zhavorr elektoral, duke kulmuar në Tiranë.