Gjykata Supreme të mërkurën ka vendosur ta refuzojë kërkesën e mbrojtjes së ish-kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi, për lirimin e tij.

Supremja e ka vlerësuar si të pabazuar kërkesën e mbrojtjes për lirimin nga paraburgimi të Krasniqit.

“Kolegji i Gjykatës Supreme e ka refuzuar si të pabazuar kërkesën për mbrojte të ligjshmërisë ndaj të pandehurit N.K., të paraqitur kundër aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe aktvendimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës. Në çështjen penale ndaj të pandehurit N.K., për shkak të veprave penale: keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, ushtrimi i ndikimit, keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, konflikti i interesit, duke vendosur përkitazi me kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të mbrojtësve të pandehurit, avokatët Virtyt Ibrahimaga dhe Taulant Ferizi, në seancën e mbajtur më datë 16.05.2023, kolegji i Gjykatës Supreme vendosi për refuzimin e kësaj kërkese”, thuhet në njoftimin e Supremes.

Pos tjerash, Krasniqi dyshohet edhe që “e detyroi shefin e prokurimit të nënshkruaj kontratë të dëmshme”.

Sipas Supremes, kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi, dyshohet se i ka shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës në vlerë të 60 mijë eurove./Reporteri