Audio, fotot, por dhe videot e personit të infiltruar, janë provat që sollën prangosjen e Fredi Belerit për blerje votash, dy ditë para zgjedhjeve.

Në dosjen që posedon Klan News rezulton se hetimet ndaj Belerit kanë nisur më datë 8 Maj. 2 ditë më pas është vendosur lejimi për të survejuar, përgjuar në vende private Fredi Belerin dhe 5 të dyshuar si bashkëpunëtorët e tij.Në një nga përgjimet rezulton se më datë 10 Maj Fredi Beleri është takuar me të infiltruarin e policisë në lokalin e kandidatit. Është rënë dakord që i inflitruari, i cili u hoq si mbështetës i Belerit, të përpilojë listën me emrat e 13 votuesve, të cilën e ka dorëzuar në zyrën elektorale, sekretares, po atë ditë. Gjatë përgjimeve, rezulton se do të jepeshin para për këta qytetarë.“Në këtë bisedë, ky shtetas i ka premtuar shtetasit A.R se do të paguante 50 euro për person ndërsa 300 euro për shtetasin A.R. nëse Alfred Beleri bindej sipas verifikimeve që ai do të kryente, se vota ishte hedhur pro tij. Shumën monetare do t’ja jepte po atë natë në darkë ose të nesërmen në mëngjes.”Një ditë më pas, më datë 11 Maj, sekseri është takuar me Fredi Belerin në lokalin Gelateria. I ka kërkuar t’i mbledhë e t’ia japë vetë paratë këtyre personave, por Beleri ka kundërshtuar. Për dhënien e parave u caktua bashkëpunëtori i Fredi Belerit, Pandeli Kokaveshi. Dorëzimi i parave është bërë në lokalin Gelateria, rreth orës 23:30 të datës 11 Maj.Bashkëpunëtori Pandeli Kokaveshi sapo është takuar me sekserin e infliltruar, i ka kërkuar që të vendosnin të dy telefonat, larg tavolinë ku ishin ulur dhe i vendosën në banakun e lokalit. Kokaveshi i druhej një përgjimi të mundshëm, por siç rezulton në dosje policia i kishte marrë masat më parë dhe çdo skenë është filmuar dhe është pasqyruar si provë. Kokaveshi në bisedë i ka thënë të infiltruarit se katër persona nga lista me 12 emra, i kishte kontaktuar vetë, kështu që mbeteshin 8 të tjerët.“Shteteasi Pandeli Kokaveshi i ka kërkuar të shkonte me të dhe kanë shkuar drejt tualetit dhe i ka dhënë shumën monetare në lekë, ku pasi të dy i numëruan ishin 8 kartëmonedha, prerje 5 mijë lekësh, në total 40 mijë lekë. Shtetasi A.R e ka pyetur t’i ndante nga 5 mijë lekë secili dhe ai i ka pohuar po.”Prokuroria thotë në dosje se këto veprime dhe komunikimi mes tyre është dokumentuar me audio dhe video. Pas afro 20 minutash nga dorëzimi i parave, rreth orës 00:15 minuta ndërhynë forcat operacionale të cilat kryen arrestimin e Belerit, në lokalin e tij Gelateria, ndërsa Pandeli Kokaveshi u prangos pranë spitalit të Himarës. Ai kishte dalë nga shtëpia pasi ishte telefonuar për prangosjen e Belerit.Një ditë para zgjedhjeve, gjykata e Vlorës vendosi masën “arrest me burg” për Fredi Belerin dhe bashkëpunëtorin e tij Pandeli Kokaveshi. Por kjo gjykatë shpalli moskompetencë duke ia kaluar çështjen SPAK. Paraditen e së të mërkurës, Prokuroria e Posaçme regjistroi procedimin penal për korrupsion aktiv në zgjedhje. Brenda 10 ditësh do të përballen me Gjykatën e Posaçme për rivlerësimin e masës së sigurisë./Klan news