Një grup studentësh dhe përfaqësues të shoqërisë civile kanë kundërshtuar projektvendimin e Ministrisë së Arsimit për të shkrirë Akademinë e Studimeve Albanologjike dhe për ta kaluar në varësi të Akademisë së Shkencave.

Në shenjë solidariteti, ata takuan drejtuesit e kësaj qendre dhe kundërshtuan këtë vendim, i cili sipas tyre është një bashkim menkanik dhe sjell dëme të mëdha për Albanologjinë.

Juristi Gentian Seriani tha se ky projektvendim shkel ligjin e arsimit të lartë pasi Akademia e Studimeve Albanologjike është institucion autonom.

Kundër vendimit të Ministrisë së Arsimit është edhe diaspora shqiptare.

Ata i kanë bërë thirrje ministres së Arsimit, Evis Kushi ta mbajë në sirtar draftin dhe të mos marrë vendime të pakonsultuar me palët e interesit dhe vetë akademinë, e cila ka në përbërje 106 studiues, 65 prej tyre profesorë.