Presidenti Bajram Begaj ka apeluar për ç’tensionim të situatës në veri të Kosovës, duke e cilësuar të pajustifikueshme dhunën e serbëve ndaj forcave të KFOR-it.
Gjatë konferencës së përbashkët me homologen e tij hungareze, Katalin Novak, e cila ndodhet për një vizitë zyrtare në Shqipëri, kreu i shtetit tha se ngjarje të tilla kërkojnë maturi, pasi përplasjet mes palëve pengojnë proceset integruese të rajonit në BE.“Tensionet në Kosovë, mund të ketë përshkallëzim të situatës dhe të jemi në një konflikt luftarak. Keqpërdorimi i popullatës serbe në veri të Kosovës, dhe dhuna e ushtruar ndaj KFOR dhe medias është e pajustifikueshme. Asnjë pretekst nuk mund të nxirret për të justifikuar asnjë nga palët për moszbatimin e marrëveshjes të arritur në Bruksel dhe anekseve në Ohër. Në këtë moment nevojitet një ç’tensionim i situatës, të tregohet maturi dhe durim dhe t’i shërbehet zgjidhjes së problemit dhe të jetë busulla e orientimit të dy vendeve për të arritur atë marrëveshje.”Me të njëjtin shqetësim foli edhe Presidentja hungareze, e cila tha se nevojitet gjetja e një rruge paqeje afatgjatë mes dy vendeve.“Ballkani Perëndimor është një rajon ku shumë shpejt mund të përshkallëzohet situata. Nëse e lejojmë mund të ndodhë një përshkallëzim i situatës në Bosnjë dhe në Kosovë dhe bashkë me presidentin kemi diskutuar rëndësinë e paqes dhe të stabilitetit të rajonit. Kemi mbi 400 trupa pjesë të KFOR-it në Kosovë.”Të njëjtin apel Presidentja hungareze dha edhe nga parlamenti, ku e cilësoi integrimin e vendeve të Ballkanit perëndimor në BE si çelësin e paqes dhe sigurisë për rajonin dhe vetë unionin.“Duam të shmangim çdo mënyrë për agresion dhe çelësi për vendosjen e stabilitetit të Ballkanit Perëndimor është integrimi europian, vetëm kjo çon drejt paqes gjithë Europën, sepse siguria e Europës varet nga qetësia e këtij rajoni.”Presidentja Hungareze ritheksoi mbështetjen e vendit të saj për integrimin europian të Shqipërisë, dhe kërkoi që të bëhet gjithçka për të ndalur emigracionin ilegal drejt vendeve të BE-së./tvklan