Emisari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka deklaruar se kryeministri Kurti dhe Kosova janë aleatë të SHBA-së. Në një intervistë për Institutin për Politikë dhe Ekonomi të Evropës Juglindore, ka deklaruar po ashtu se kusht për depërshkallëzim janë që Kosova ta formojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe që Serbia të mos e pengojë Kosovën për t’u anëtarësuar në organizatat ndërkombëtare.

Emisari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor ka zbutur qëndrimet e tij për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Pak ditë pasi kërcënoi se do të gjejnë “aleatë alternativë” dhe se “një njeri” nuk e ndal formimin e Asociacionit, Esobar tha se kryeministri Kurti dhe Kosova janë partnerë të SHBA-së.

“Z. Kurti është partner i yni. Nganjëherë është një partner i vështirë, por është partner. Kosova është partnere jona. Serbia është partnere jona. Pra, në të ardhmen dëshirojmë të përfitojmë nga marrëdhëniet e mira që kemi me Kosovën dhe nga përmirësimi i marrëdhënieve që kemi me Serbinë”, ka thënë Escobari.

Në një intervistë për Institutin për Politikë dhe Ekonomi në Serbi, Escobar ka treguar se cilat janë parakushtet për depërshkallëzimin e situatës në veri.

Ka thënë se Kosova duhet ta formojë Asociacionin e Serbia duhet të mos e pengojë Kosovën në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.

“Pra, ne duhet të gjejmë një mënyrë për të shtensionuar menjëherë proceset, për të shtensionuar situatën dhe menjëherë të kthehemi me fokusin në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit. Për Serbinë kjo do të thotë t’i japë fund bllokimit të Kosovës drejt integrimit evropian dhe ndërkombëtar. Për Kosovën kjo nënkupton fillimin e procesit të zbatimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Duhet të punojmë në të dy këto fusha”, ka thënë Escobari.