Me përfundimin e vitit shkollor dhe me ardhjen e pushimeve verore, fëmijët ndihen të lirë të mos jenë aq shumë të përfshirë në mësime, detyra apo lexime. Në përgjithësi edhe nga ana e prindërve ka një angazhim më të pakët për t`i futur fëmijët në veprimtari të caktuara. Megjithatë pushimet verore mund të jenë edhe argëtuese edhe si hapësirë për të mësuar gjëra të reja. Duhet larguar mendësia se gjatë kësaj periudhe prindërit pushojnë dhe fëmijët qëndrojnë më vete me lojërat e tyre.

Nga t`ja nisni?

Bëni një mbledhje familjare dhe njoftoni se kjo verë do jetë si kamp me aktivitete. Secili prej anëtarëve të familjes iu sugjerohet të shkruajnë nga një aktivitet që ata do të preferonin të organizonin në vijim. Të gjitha këto ide që përmenden, i grumbulloni dhe i shqyrtoni nëse janë të aplikueshme apo jo. Nëse është e nevojshme, bëni ndryshimet së bashku.

Hartoni një kalendar

Të gjitha aktivitetet që u sugjeruan mund t`i mendoni bashkarisht në ditë të caktuara. Është e rëndësishme që të gjithë të japin mendimin dhe pëlqimin e tyre. Së bashku me aktivitetin e shënuar, shkruani edhe detajet e nevojshme që duhet t`i keni parasysh. Nëse keni fëmijë të vegjël, mund ta ngjyrosin dhe zbukurojnë kalendarin me figura të ndryshme. Po ashtu pas çdo aktiviteti të kryer vendosni një shënim apo vlerësim.

Shembuj për disa aktivitete:

Dita e gjuhëve të huaja.

Në këtë ditë ju si familje vendosni të flisni një gjuhë që e njeh shumica. Kjo mund të bëhet si praktike çdo drekë apo darkë ku mblidheni bashkë. Në këtë mënyrë përforconi njohuritë në gjuhën e huaj.

Peshkimi

Pavarësisht përvojës që keni me peshkimin, ju mund të shkoni të gjithë si familje për të organizuar një ditë të tillë, qoftë edhe me mjete të improvizuara. Flisni dhe tregoni për peshqit dhe botën nën ujore duke nxitur edhe fëmijët të japin njohuritë e tyre. Me këtë rast ju i bëni dhe një rikujtesë lëndës së biologjisë.

Piknik

Pikniku është një nga aktivitetet më të preferuara për fëmijët. Nëse këtë e keni të pamundur diku larg në natyrë, atëherë provojeni në oborrin tuaj. Nëse nuk keni as oborr, improvizojeni në ballkon apo në një pjesë të shtëpisë. Mos harroni të ngrini çadrën tuaj të bërë prej çarçafi dhe shkopinj të gjendur rastësisht.

Balona

Krijoni balona me ngjyra e zbukurime të ndryshme. Kur fëmijët e krijojnë vetë ndiejnë një kënaqësi më të madhe. Dhe patjetër që pjesa më e bukur është momenti kur lëshohet balona.

Albumi i fotove

Do të jetë interesante t`i ktheheni fotove të vjetra dhe të flisni pak për të shkuarën apo se si ju i kalonit pushimet verore. Kjo do ju bëjë ju si prindër të ndiheni më mirë por edhe për fëmijët është pozitive tek sa dëgjojnë për jetën e prindërve.

Filmi i pushimeve

Gjatë aventurave tuaja, mund të shkrepni foto dhe të bëni video. Në fund të pushimeve mund të krijoni një video me të gjitha imazhet apo pjesët e kapura gjatë momenteve ku familja ka zhvilluar këto aktivitete. Mendoni për një titull apo përshkrim dhe vlogu juaj është gati për tu ruajtur në memorie.

Përfitimet nga këto aktivitete

Edhe pse në pamje të parë, angazhimi i fëmijëve me veprimtari të tilla gjatë pushimeve verore duket si munduese, mos harroni se përfitimet në shëndetin psiko-social tek fëmijët janë të mëdha. Po ashtu mund të rendisim edhe një sërë përfitimesh të tjera si:

a. Lidh pjesëtarët e familjes me njëri tjetrin

Gjatë kësaj kohe fëmijët do jenë edhe më të ndërlidhur me pjesëtarët e familjes dhe kuptojnë që edhe me prindërit mund të kalohet kohë argëtuese. Është e nevojshme që fëmijët t`i shohin prindërit jo vetëm si figura që japin udhëzime por edhe që japin kenaqësi.

· Realizimi i objektivave

Kjo verë mund të jetë periudha e vendosjes së objektivave të caktuara që nuk mund ti realizonit gjatë muajve të kaluar. Secili prej anëtarëve të familjes jep një sfidë që ka dhe të tjerët e ndihmojnë për ta kaluar.

Për shembull: Mësimi i biçikletës. Mësimi i notit. Praktikimi i një gjuhe të huaj. Të lexuarit më rrjedhshëm. etj

· Kapërcimin e problemeve

Probleme të caktuara që ka dikush në familje mund të kalohet më lehtë kur ndien familjen e bashkuar. Një nga ditët e qëndrimit së bashku, mund të jetë momenti i mirë I rrëfimit. Kjo më pas kthehet

· Larg celularit

Gjatë kësaj periudhe me angazhime, fëmijët tuaj do të kenë mundësi t`i afrohen më pak telefonave të tyre të cilat janë bërë kaq shqetësuese për prindërit kohët e fundit.

· Një rutinë e re edhe për më tej

Pushimet verore mbarojnë shpejt dhe nëse fëmijët tuaj mësohen me detyra dhe angazhime gjatë kësaj kohe, do e kenë më të lehtë ardhjen e shtatorit me ndryshimet që pasojnë. Po ashtu ju mund ta mbani këtë kalendar edhe në vazhdimësi duke e përshtatur me periudhën tjetër.