Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky është planifikuar të zhvillojë një takim me presidentin amerikan Joe Biden në ditën e fundit të samitit të NATO-s në Lituani. Samiti nuk i dha Ukrainës një rrugë të qartë drejt anëtarësimit në NATO. Megjithatë, fuqitë perëndimore po përgatiten të shpallin një marrëveshje sigurie për Kievin ditën e sotme.
Zelensky, i cili ka shprehur haptas zhgënjimin e tij për mungesën e angazhimit të NATO-s drejt pranimit të Ukrainës në aleancë, do të takohet veçmas më 12 korrik me Bidenin dhe udhëheqës të tjerë perëndimorë, përfshi kryeministrin britanik Rishi Sunak dhe kancelarin gjerman Olaf Scholz në Vilnius. Kryeministri Sunak njoftoi më 11 korrik se vendet e Grupit të Shtatë (G7) janë gati të nënshkruajnë një marrëveshje bazë, e cila synon t’i ofrojë Ukrainës garanci afatgjata sigurie, ndërkohë që i mundëson vendit të krijojë marrëveshje dypalëshe të mbrojtjes me vendet anëtare të G7-ës. “Mbështetja e përparimit të Ukrainës në rrugën drejt anëtarësimit në NATO, së bashku me marrëveshjet formale, shumëpalëshe dhe dypalëshe, dhe mbështetja nga shumica e anëtarëve të NATO-s do t’i dërgojë një sinjal të fortë presidentit [rus] Putin dhe do të kthejë paqen në Evropë”, tha Sunak.