Është e lehtë të mendojmë se ky mot tejet i nxehtë është i pazakonshëm, mirëpo e vërteta e dhimbshme është se ndryshimet klimatike nënkuptojnë se tani do të jetë normale që të përballemi me temperatura rekorde.

Gazrat serrë vazhdojnë të emetohen çdo vit, madje me trend në rritje. Sa më e nxehtë temperatura globale, aq më shumë rrezik për valë të të nxehtit, ka thënë Friederike Otto, eksperte për klimën në Institutin për ndryshime klimatike, Grantham.

“Këto valë të të nxehtit, jo vetëm që do të jenë më të shpeshta, por edhe më të nxehta dhe më gjata”, ka thënë ajo.

Ekspertët veçse kanë parashikuar se El Nino mund ta bëjë vitin 2023, më të nxehtin ndonjëherë në botë.

Temperatura e Tokës është rritur për 1.1 gradë Celsius prej nisjes së epokës industriale dhe temperaturat do të vazhdojnë të rriten, përveç nëse qeveritë në mbarë botën marrin hapa për t’i ndalur emetimet e karbonit./REL