Një panik është shkaktuar në SHBA pas vendimit të Indisë të enjten, për të ndaluar eksportet e orizit në një përpjekje për të qetësuar rritjen e çmimeve vendase dhe për të frenuar çmimet e larta të ushqimeve.

Vendimi u mor nga qeveria e Indisë për të mbrojtur tregun e brendshëm nga rritja e shpejtë e çmimeve të ushqimeve duke siguruar mjaftueshmërinë e orizit për qytetarët indianë. Është një vendim që tashmë ka shkaktuar bujë tek konsumatorët, veçanërisht tek indianët që jetojnë në SHBA dhe Kanada, të cilët nxituan të zbraznin raftet e supermarketeve, duke parashikuar një të ardhme të zymtë në tregun global të orizit dhe rritje alarmante të çmimeve të ushqimeve.

Në këtë kontekst, ulja e ofertës globale të varieteteve të ndryshme të orizit të bardhë (përveç orizit basmati) mund të fryjë edhe më tej çmimet, të cilat janë rritur pas pushtimit rus të Ukrainës dhe ndryshimeve klimatike që kanë prekur të korrat në mbarë botën.

Pasi u mor vesh vendimi i qeverisë indiane, një kaos mbizotëroi në supermarketet e shteteve të ndryshme të SHBA-së. Njerëzit po vërshojnë nëpër dyqane për të blerë pako, madje edhe thasë të tërë, me oriz, pasi kanë frikë nga rritja e çmimit të këtij produkti.

Vendet e prekura do të detyrohen t’u drejtohen furnizuesve alternativë në rajon, si Tajlanda dhe Vietnami, thonë ekonomistët, gjë që do të ndryshojë zinxhirin e furnizimit dhe do të shkaktojë luhatje të mprehta të çmimeve.