Në Shqipëri, kryetari i Partisë socialiste, njëkohësisht kryeministër i vendit, Edi Rama, shkarkoi pasditen e djeshme të gjithë sekretariatin e forcës politike që ai drejton, së bashku me sekretarin e Përgjithshëm Damian Gjiknuri. Vendimi u mor gjatë një mbledhjeje të Asamblesë kombëtare të socialistëve, në të cilën, i vetmi që mbajti një fjalim ishte vetë zoti Rama.

Përkohësisht, funksionin e Sekretarit të Përgjithshëm do ta mbajë zoti Blendi Klosi. Në fund të muajit shtator apo fillim të tetorit, socialistët do të mbledhin sërish Asamblenë si dhe do të organizojnë një kongres të jashtëzakonshëm.

Shkarkimi i zotit Gjiknuri, ishte një lëvizje e papritur, aq më tepër që socialistët arritën një fitore të thellë në zgjedhjet vendore të 14 majit, gjë që tregon se funksionimi i strukturave partiake nuk ka lënë vend për të dëshiruar. Ndërsa shkarkimi dhe i 7 sekretarëve të tjerë të partisë, ngjan më tepër një përpjekje për të mbuluar faktin se goditja duket të ketë qenë e drejtuar pikërisht ndaj zotit Gjiknuri.

Thuajse të njejtën skemë, zoti Rama përdori dhe në mars të vitit 2017, kur shkarkimin nga kabineti të ish ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, por dhe atij të Shëndetësisë Ilir Beqja, që të dy të vënë prej kohësh në qendër të akuzave publike, e shoqëroi me largimin dhe të dy ministrave të tjerë./Voa