Punësimi është një çështje shumë e diskutuar prej kohësh, dhe sigurisht që do të ketë gjithmonë rëndësi pasi përbën thelbin kryesor të jetës. Le të mendojmë që mesatarisht rreth 16 vite arsim ndërtohen për të marrë njohuri për tregun e punës. Kryesisht ,vitet e fundit të studimeve dhe leksionet nëpër auditore kanë shumë vlerë, por shpesh praktika e vendos individin në situata të reja dhe të panjohura. Ndaj edhe edukimi jo formal i cili merret nga kurset, trajnimet, apo studimet personale janë të rëndësishme. Tregu i punës sot kërkon një sërë aftësish të cilat përshtaten me zhvillimin e teknologjisë apo dhe me tendencat e globalizmit. Si fillim një kandidati për të fituar një vend punë përveç aftësive të profesionit, i duhet të ketë aftësi për të punuar në grup, të dijë të komunikojë me të tjerët si dhe të zgjidhi situata konfliktuale. Këto janë kërkesa të rëndësishme pasi punëkërkuesi duhet të jetë bashkëpunues dhe të japi sa më shumë në punën e tij. Jo vetëm kaq, por edhe gjuha e huaj është një tjetër kriter që vlerësohet dhe kërkohet në një punë. Madje sa më shumë gjuhë të huaja që individi zotëron aq më shumë rriten shanset për ta fituar atë vend pune.

Tregu punës është edhe për ata të cilët jo domosdoshmërisht kryejnë arsim të lartë. Vitet e fundit i është dhënë përparësi shkollave profesionale. Megjithatë dikur trashëgimia e zanatit ishte shumë e theksuar. Madje kalimi nga brezi në brez i zanatit ishte si diçka e shenjtë, sikur formoheshe një rreth ku ishte e pamundur të dilje. Zanatçinjtë e vjetër si poçarët, zdrukthtarët, artizanët, rrobaqepësit, këpucarët kishin mundësi të punonin që në moshë të hershme dhe të kishin një status të vecantë në shoqëri. Vitet e fundit të rinjtë nuk e shohin me perspektive të marrin zanatin e prindërve. Ndoshta edhe prindërit nga ana e tjetër mund të preferojnë një profesion që paguhet më mirë për fëmijët e tyre sesa një zanat që i lodh fizikisht dhe nuk ofron shumë mundësi për të ardhmen. Profesioni bën të mundur lëvizjen nga një shtrese shoqërore më e ulët tek një më e lartë, duke krijuar vlerësim më të madh nga ana e shoqërisë. Në një këndvështrim objektiv, të punuarit në një profesion prej një kohe të gjatë e cila çon më pas dhe në karrierë të suksesshme, formon 3P-të tek individi. Së pari sjell paratë, prestigjin dhe më pas pushtetin.  Megjithatë, puna nuk është turp, por nder, dhe duhet të promovohet sa më shumë si vlerë tek të rinjtë e sotëm të cilët, të gjendur përballë shifrave që tregojnë rritje të punësimit dhe realitetit të vështirë për të punuar në profesionin që kanë studiuar, gjendjen në udhëkryq.

Të dhëna mbi punësimin

Nëse do flisnim me shifrat  e papunësisë, rezulton se rreth 47% e popullsisë aktive (e aftë për punë), është e papunë. Në aspektin gjinor, vajzat dhe gratë e kanë numrin më të ulët të punësimit krahasuar me djemtë dhe burrat ku diferenca midis tyre mund të shkojë deri në 20%. Ndërsa për sa i përket profesioneve më të paguara vitet e fundit të cilat do të përbëjnë edhe trendin kryesor për vitet në vijim janë: Programues Informatike, ku paga bazë mesatare mund të shkojë 1000 € në muaj, përfaqësues të shitjes, menaxher, këshilltar ligjor për korporata etj.

Ku mund të drejtohen të rinjtë sot për tu punësuar?

Fuqia virtuale ka bërë të mundur që sot në mënyrë të shpejtë të kontrollojmë ofertat e kompanive për punë që nga shtëpia pa qenë nevoja të shkojmë ballë për ballë. Jo vetëm kaq, por edhe të aplikojmë në një kohë fare të shkurtër për disa punë. Por nëse bëhet një analizë e shpejtë në disa nga faqet e internetit që ofrojnë punë, pjesa më e madhe e tyre janë për operatorë në Call Center. Madje nga 100 njoftime punësimi, rreth 35 oferta janë për tregun e operatorëve, ndërsa pjesa tjetër janë për kamarier, banakier, menaxher, kuzhinier, inxhinier, recepsionist, sanitare etj. Të gjitha punët që u listuan kanë rëndësinë e tyre dhe kanë vlerë në krahasim me papunësinë, por ka një tendencë tek disa të rinj që mos të pranojnë çdo lloj pune ashtu siç ka edhe të rinj me diploma të cilët bëjnë punë të ndryshme fizike.  Mendohet se shifrat e punësimit mund të ishin më të larta nëse të rinjtë do të përpiqeshin më tepër në kërkimin e tyre. Shpesh të mbuluar me pesimizmin e mos funksionimit të meritokracisë dhe të ngopjes së tregut të punës, qëndrojnë pasiv në divanin e tyre. Ky fenomen është i gabuar sepse njeriu që mbart vlera dhe aftësi do e gjejë veten të pozicionuar në atë që kërkon, pavarësisht se lufta për ta arritur nuk është aspak e lehtë.  Është e këshillueshme që koha e lirë e të rinjve mund të shfrytëzohet duke u marrë me intership-e, punë vullnetare, shkëmbime kulturore nëpër shtete të ndryshme ku disa organizata jo fitimprurëse i ofrojnë falas.

Vetëpunësimi. Tja dalësh vetë!

Një formë tjetër e punësimit është dhe vetëpunësimi. Madje mund të listohen disa anë pozitive e të pasurit një biznes privat. Ndër të tjera je i zoti i punës tënde, ke mundësi të menaxhosh vetë burimet dhe kapitalin, mund të punësosh persona të tjerë, si dhe mund të dyfishosh të ardhurat. Në vendin tonë ky këndvështrim duket thuajse ideal sepse ndryshimi i herëpashershëm i politikave për bizneset nuk i ka favorizuar në mënyrën e duhur ata që duan vetëpunësimin. Plus kësaj, mund të shtojmë edhe problemin e informalitetit që ende po merr rrugë zgjidhje kohët e fundit, e cila ka bërë që konkurrenca në treg mos të jetë e drejtë. Mos harrojmë pa përmendur edhe rimëkëmbjen e ngadaltë nga kriza ekonomike globale që ka influencuar negativisht edhe ndërmarrjet e vogla dhe të mesme shqiptare. Ndaj në mënyrë për të kapërcyer këto kushte të vështira aktuale, politika duhet të përqendrohet në reforma efektive afatshkurtër dhe afatgjatë për të zhvilluar potencialin e atyre që duan të marrin nismën të vetëpunësohen. Taksat ende shihen si kërcënim i madh për biznesin (kryesisht për atë të vogël) i cili jo pak herë mbetet në kufirin e mbijetesës. Ndërkohë duhet theksuar se ka nevojë për një angazhim më të madh edhe nga ana e personave që duan të krijojnë biznesin e tyre. Sot kërkohet një studim tregu i mirëfilltë i cili do kohën e tij dhe njohuritë e duhura. Në këtë mënyrë nuk do të krijoheshin biznese të tejngopura për tregun dhe dështimi do të ishte më i ulët.

Në rrethanat e modernizmit, të kohës që vrapon shpejt, si dhe mjeteve të teknologjisë, aftësitë që duhen të zotërojnë punëkërkuesit janë shumëfishuar. Tregu është edhe më i ashpër dhe lufta më e madhe. Dija duhet formuar që në vogëli, hap pas hapi pasi çdo mangësi do krijojë difiçite në të ardhmen. Duhet kapur çdo kohë për të gjetur më pas veten!