Shumica e njerëzve priren të shohin pamjen e jashtme ndër elementet më kryesore pasi rrjedhimisht ajo është një pasaportë prezantimi përpara të tjerëve. Pamja e jashtme mund të ndikojë në rritjen e vetëbesimit dhe vetëvlerësimit si dhe të kundërtën. Dikush ndihet shumë i qetë kur njerëzit e tjerë e admirojnë dhe preferojnë të shoqërohen me të pasi e shohin tërheqës. Po ashtu edhe në disa profesione, dukja përbën rëndësi sidomos në fushën e medias, marketingut ose sektorë të tjerë të shërbimit.
Pamja e jashtme ka një fuqi e cila jo pak herë ndikon të njeriu, i cili shpenzon kohë dhe energji për t’u kujdesur për të. Megjithatë duhet kuptuar nëse ruhet një balancë midis mirëqenies në tërësi të njeriut, i cili përfshin edhe dukjen, por edhe aftësitë e tjera që kanë një rëndësi themelore. Kjo do të thotë se nëse rëndësia e pamjes e tejkalon peshën që kanë aftësitë e tjera, kthehet në një shqetësim i panevojshëm dhe dëmtues.
Presioni nga shoqëria
Përjashtimi, dhuna verbale dhe joverbale që disa persona kanq ndaj të tjerëve për shkak të pamjes është një fenomen i cili është prezent në shumë shoqëri, ku të ndryshmen e konsiderojnë të shëmtuar apo që duhet të mos pranohet. Diskriminimi me bazë pamjen e jashtme është një fenomen që përshkruan trajtimin diskriminues të njerëzve që konsiderohen fizikisht jo tërheqës. Ndodh në një sërë mjedisesh, duke përfshirë takimet, mjediset sociale dhe vendet e punës. Ky atribut fizik mund të jetë për peshën e trupit, gjatësinë, ngjyrën e lëkurës, shenjat e fytyrës, apo edhe shenjat që nga lindja apo tatuazhet, e shumë të tjera pafund.
Jetesa në një botë konsumiste sjell tendenca të cilat kanë në fokus dukjen, por jo thelbin. Për mijëra vjet, tërheqja fizike ka qenë e lidhur drejtpërdrejtë me pasurinë dhe prosperitetin. Ushqimi i mirë, veshja, standardet e jetesës, mënyra e jetesës dhe ndikime të ndryshme të ngjashme pozitive lidhen drejtpërdrejtë me shëndet më të mirë dhe karakteristikat tërheqëse në shumicën e situatave. Si vijim lind pyetja se përse e kanë të nevojshme njerëzit të paragjykojnë? Ndoshta sepse nga aspekti psiko-social, kanë një nevojë të pamasë për t’u përfshirë në një grup, me dëshirën për t’u përfaqësuar dhe këtë e realizojnë duke paragjykuar apo diskriminuar të tjerët. Shoqëria në tërësi të ndryshmen e konsideron si të keqe, të shëmtuar dhe nuk e përqafon dot lehtësisht. Të ndjekësh masën duket më e thjeshtë dhe me përfitime më të shpejta. Paragjykimet ndodhin më së shumti te njerëzit të cilët kanë një nivel arsimimi dhe edukimi jo shumë të lartë ku priren t’i shohin gjërat më tepër përciptas sesa në thelb të tyre.
Presioni nga rrjetet sociale
Miliarda njerëz në mbarë botën përdorin mediat sociale për të shkëmbyer informacione dhe për të krijuar lidhje. Në një nivel personal, media sociale lejon njerëzve komunikimin me miqtë dhe familjen, të mësojnë gjëra të reja, të zhvillojnë interesat dhe të argëtohen, por edhe si të kenë një standard bukurie. Këto standarde mund të ndryshojnë sipas shijeve dhe trendeve të personave të famshëm që merren me industrinë më fitimprurëse siҫ ëshë ajo e modës. Nga ana tjetër ndjekësit krijojnë një mendësi e cila lidhet vetëm me të bukurën dhe dukjen. Mjafton të klikojmë në media sociale, dhe do shohim pafundësi video e foto që tregojnë fytyra vajzash që mësojnë si bëhet make up-i, si realizohet vishja për çdo rast, kombinimi sipas motit etj.
Pasoja më e dëmshme e krijimit të këtyre standardeve të bukurisë është tjetërsimi i vetes, të rendësh drejt një të pavërtete dhe jo rehatie sepse kështu ta kërkon bota e modës apo trendet e
shoqërisë. Gratë shpesh vuajnë nga problemet e shëndetit mendor, ku ndër më të njohurat janë bulimia dhe anoreksia të cilat vijnë si pasojë e këtyre presioneve nga mediat apo rrjetet sociale.
Duhet ta theksojmë se interesi më i madh i grave për pamjen mësohet nga shoqëria. Ky interes rrjedh thjesht nga promovimi social dhe marketingu i një imazhi femëror (duhet të jetë e bukur, buzë mishtore, mollëza të dala, qerpikë të gjatë, vetulla të ngritura etj). Ashtu si njerëzit fitojnë një shije për të pirë kafe, po ashtu ata fitojnë besimin se pamja e jashtme është më e rëndësishme për gratë sesa për burrat.
Sipas një studimi
Sociologët nga Universiteti i Lodz-it kryen kërkime mbi atraktivitetin midis grave dhe burrave në tre kategori moshe: të rinjtë (20-37 vjeç); mosha e mesme (38-62 vjeç); dhe të moshuar (63-80 vjeç). Sipas Dr. Czernecka e cila interpretoi këtë studim, tjergon se si gratë ashtu edhe burrat e moshave të ndryshme ishin të vetëdijshëm për ndikimin e paraqitjes së tyre në funksionimin e tyre shoqëror. Të gjithë vunë re jo vetëm vlerën instrumentale të pamjes, por edhe vlerën e saj në mirëqenie, vetëvlerësimin dhe besimin. Hulumtimet tregojnë, se qëndrimet ndaj pamjes ndryshojnë midis grupmoshës dhe gjinisë. Gratë më shpesh vërejnë se gjykohen nga pamja e tyre në sfera të ndryshme të jetës më shumë sesa burrat. Të rinjtë, pavarësisht nga gjinia, kanë ndërgjegjësimin më të lartë për rëndësinë e paraqitjes.
I gjithë ky presion mund të shihet me një sy të lirë!
Bëni një vëzhgim të thjeshtë në media dhe shënoni drejtueset djem/burra apo vajza/gra dhe shihni me sa kujdes i përmbushin ata standardet e bukurisë sidomos vajzat/gratë. Shihni dhe analizoni moshën e tyre, veshjen, peshën, defektet dhe shkruani nëse ndonjë prej tyre është
mbipeshë, e moshuar, me aftësi të kufizuar, apo me thinja etj. Konkluzionet do dalin në përfundim se pothuaj e pamundur të shohim një moderator, gazetar, që nuk përmbush pjesën më të madhë të standardeve të pamjes së jashtshme. Edhe vendi ynë nuk mund të përjashtohen nga ky fenomen, ku rëndom dëgjon të rinj që kanë formuar një përceptim se të jesh i/e bukur (sidomos për vajzat) dyert e karrierës janë lehtësisht të arritshme.
Investimi në dukje është një energji e cila nuk të çon në destinacine fitimprurëse dhe njerëzore. Moda, bukuria, tendencat ndryshojnë me kohën dhe interesave të tregut, ndërsa investimi në zhvillimin personal dhe profesional rritet dhe shumohet.