Fëmijët janë herë pas here të ekspozuar përballë rreziqeve të shumta të cilat janë komplekse, apo dhe të panjohura. Një nga problemet që duhet folur së tepërmi dhe konsultuar më shpesh lidhet me marrëdhëniet e fëmijëve me të tjerët. Kur themi marrëdhënie duhet të theksojnë ndërlidhje midis fëmijës dhe një të rrituri në mënyrë të shëndetshme. Në lidhje me këtë, po përmendim termin “Grooming” duke u përpjekur t’i japim kuptim dhe shpjegim në gjuhën shqipe. “Grooming” është një term i lidhur ngushtë me abuzimin seksual të fëmijëve ku i referohet një procesi ose grupi sjelljesh që përdorin të rriturit për t’i bërë më të lehta ndërveprimet seksuale me një fëmijë.

Grooming është procesi kur dikush ndërton një marrëdhënie, besim dhe lidhje emocionale me një fëmijë ose të ri, në mënyrë që ata të mund t’i manipulojnë, shfrytëzojnë dhe abuzojnë. Fëmijët dhe të rinjtë që futen në këtë proces mund të abuzohen, shfrytëzohen ose trafikohen seksualisht. Çdokush mund të futet në këtë rreth të “grooming”, pavarësisht nga mosha, gjinia apo raca.

Abuzuesit seksualë të fëmijëve dhe adoleshentëve janë shpesh simpatikë, të sjellshëm dhe ndihmues. Ata bëjnë të pamundurën të kenë një imazh të tillë dhe përpiqen të fitojnë sa më shumë besimin.

Me siguri se duke marrë kaq shumë informacione, prindërit po fillojnë të jenë dyshues pothuaj tek të gjithë ata që i rrethojnë fëmijën. Megjithatë kjo nuk ndihmon pasi krijon më shumë paranoja dhe kujdes të tepruar. Ka rëndesi që prindërit të mbajnë komunikim të vazhdueshëm me fëmijën e tyre dhe të njohin elemente thelbësore të personave përreth si mësues, kujdestarë, trajnerë nëpër kurse etj. Po ashtu fëmijët kanë nevojë për informim në lidhje me kufirin personal dhe si duhet të jenë marrëdhëniet me të tjerët qoftë të huaj apo të njohur.

Grooming dhe bota online

Përveҫ personave që fëmija ka kontakt të drejtpërdrejtë si në shkollë, kurse, qendër aktivitetesh etj, bota online e lehtëson procesin e grooming. Ndodh shpesh që persona të rritur krijojnë profile të rreme dhe pozojnë si fëmijë ose adoleshentë në mënyrë që të miqësohen me dikë dhe të fitojnë besimin e tyre. Ky mund të jetë hapi i parë drejt abuzimit seksual ose ndjekjes ose

ngacmimit në internet. Kjo nuk do të thotë që fëmijët kur kanë nevojë të lundrojnë në internet të mos e bëjnë më, por të paralajmërohen dhe udhëzohen për rreziqet. Përveҫ fëmijëve të vegjël të cilët nuk e kanë të nevojshme virtualitetin, pjesa tjetër mund të ketë survejimin e prindërve deri sa ata të jenë më të rritur dhe të vetëdijshëm.

Hapat e grooming

Personi që ka ndërmend të abuzojë me fëmijën ose adoleshentin, nis me një kontakt me anë të mesazheve duke studiuar më herët profilin e viktimës. Abuzuesi shkruan, përshëndet duke pritur kohën e duhur për një tjetër mesazh pa rënë në sy dhe pa u bërë i bëzdisur. Po ashtu mund t’i dërgojë materiale, audio, video, tekst të cilat janë në interes të fëmijës ose adoleshentit për të krijuar idenë e ngjashmërisë dhe nxitjen e miqësisë. Personat “Grooming” përpiqen ta izolojnë fëmijën nga kontaktet e tjera apo veprimtari që ai ka bërë më përpara që të ketë mundësi të krijojë varësi nga bashkëbiseduesi. Hapi tjetër është ndërtimi i besimit dhe plotësimi i ndonjë kërkese që ka pala tjetër. Bëjnë gjatë gjithë kohës kompimente dhe duke i dhënë vëmendje viktimës. Më tej, abuzuesi fton viktimën në një vend të sigurt ku mund të bisedojnë dhe të njihen. Ka shumë raste ku fëmijët që nuk bien dakort të takohen me personin e panjohur që hiqet si mik, ky i fundit mund të arrijë deri në kërcënime apo shtrëngime përmes fotove apo teksteve që janë shkëmbyer gjatë bisedave të mëparshme.

Për tu mbajtur mend

Manipuluesit në jetën reale ose online nuk janë gjithmonë të huaj. Në shumë situata, ata mund t’i kenë takuar tashmë përmes familjes ose aktiviteteve të tyre shoqërore dhe të përdorin internetin për të krijuar marrëdhënie me ta.

Ju ftoj të shikoni filmin “Trust” për të kuptuar më shumë rreth fenomenit “Grooming”. Ky film tregon për një familje të thjeshtë dhe të hareshme, ku vajza 14-vjeçarje Annie, nis një bisedë me një bashkëmoshatarin e saj. Pas disa muajsh ata takohen dhe Annie zbulon se ai është një i rritur që donte të abuzonte i cili fshihej pas fotove të rreme të një adoleshenti që i përdorte si karem për vajzën.