Shumë shoqëri në mbarë botën mendojnë se të jetosh me prindërit është krejtësisht normale. Një nga avantazhet më të mëdha të të jetuarit me prindërit është kursimi i parave. Kursehet në qira, faturat e shërbimeve, ushqimet dhe shumë më tepër. Natyrisht, që të rinjtë mund të kontribuojne në shpenzimet e shtëpisë, por nuk krahasohet nëse do jetonin vetëm. Po ashtu ka lehtësira të tjera siç janë mbarëvajtja e shtëpisë e cila ndahet me pjesëtarët, gatimi i vakteve që në pjesën më të madhe e ka nëna etj. Të jetosh me prindërit ka një afërsi dhe siguri për çështjet personale, emocionale apo sfidat e përditshme.
Nga ana tjëtër të rintjë që jetojnë me prindërit e tyre shprehen se iu mungon privatësia, kanë konflikte të herëpashershme me prindërit, rregullat vendosen, ndiqen dhe diktohen nga prindërit kryesisht, si dhe nuk kanë pavarësi për vendime.
Të rinjtë në vendin tonë qendrojnë më prindërit e tyre për arsye kulturore dhe ekonomike. Megjithatë edhe kur arrijnë të kenë të ardhura të qendrueshme preferenca apo nxitja është qendrimi me prindërit. Kjo vazhdon më shumë si mendësi për një pjesë të djemve edhe pasi martohen, dhe ndryshon për vajzat vetëm kur këto të fundit martohen. Afërsia që krijohet me pjesëtarët e familjes është ende e fortë në vendin tonë dhe kjo është pozitive, por nëse shkon dhe bëhet detyrim qendrimi me prindërit, kthehet e pashëndetshme. Madje ende flitet se fëmija i vogël do jetë fëmija që do pleqërojë me prindërit duke kthyer mbrapsht shërbimet që ai ka marrë kur ka qenë i vogël. Kurrësesi fëmija nuk duhet të ndihet i detyruar t’i shërbejë prindit për faktin se e ka sjellë në jetë, por ëshë përgjegjësi e cila kultivohet si proces i jetës ku secili merr rrugën e vetë duke ndihmuar njëri tjetrin. Prindërit nuk mund të pretendojnë të lindin një fëmijë që ta përdorin si kujdestar të tyre kur të shkojnë në moshë madhore. Prindërit kanë rol përkujdesës, edukues dhe udhëzues drejt pavarësisë së fëmijës.
Ka shumë të rinj sidomos të moshave 30-40 vjeç të pamartuar, që nuk po arrijnë dot shkëputjen nga prindërit sepse për këta të fundit ëshë e pakonceptueshme, por edhe turp sepse të tjerët do i paragjykojnë. Paragjykimi lidhet me turpin se si prindërit “hedhin” fëmijën tutje apo si mund të jetojë vetëm një i ri kur nuk është i martuar.
Nuk mund të pretendojmë të ndryshojmë mendësitë dhe zakonet e thelluara prej kohësh. Progresin mund ta bëjnë të rinjtë duke u pavarësuar ekonomikisht. Statistikat në vendin tonë tregojnë se ka të rinj të cilët janë të papunë dhe nuk kërkojnë punë. Këtë e lidh edhe me mungesën e iniciativës që mund të kenë këta të rinj kur jetojnë me prindërit për të dalë nga mbojtja dhe përkujdesja e prindërve dhe për t’u përballur me sfidat dhe jetesën. Brezi i gjeneratës Z (të lindurit pas ’97) kanë më shumë dëshirën për pavarësi, por në tërësi shihet qëiu mungon iniciativa. Ky brez kryesisht nuk përshtatet dot me punë me orar të gjatë, kanë tendencë të mos punojnë në kohë afatgjatë në një kopani (kryesisht priren të punojnë freelancer) dhe si pasojë nuk kanë të ardhura të qëndrueshme.