International Police Organization IPO HQ në bashkëpunim me Fondacionin Italian “No alla Droga”, Qendrën e Parandalimit të Krimeve të të Miturve dhe të Rinjve QPKMR (Institucion në vartësi të Ministrisë së Drejtësisë së Shqipërisë) dhe Agjencinë Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës ASHDMF (Institucion në vartësi të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Shqipërisë), organizuan Konferencen 2 ditore me tematikë “Parandalimi i përdorimit të drogës nga të rinjtë”

Takimi, i cili mblodhi mbi 160 të pranishëm nga një numër institucionesh dhe organizatash, u mbajt në datat 11 dhe 12 Tetor 2023 pranë Hotel Mondial në Tiranë.

“IPO është investuar fuqishëm në luftën kundër drogave dhe në përpjekjet për parandalimin e përdorimit të saj, po ashtu ne aderojmë në Federatën Botërore Kundër Drogës me qendër në Suedi. Që nga viti i kaluar IPO ka marrë Statusin Special  Konsultativ ECOSOC në UN. Ne kemi vite që bashkëpunojmë ngushtë me Zyrën e Drogës dhe Krimit në Kombet e Bashkuara UNODC dhe jemi pjesëmarrës konsultativ në Komisionin për Drogat Narkotike CND, Komisionin për Parandalimin e Krimit dhe Drejtësinë Penale CCPCJ në UN dhe Konventën e Kombeve të Bashkuara kundër Krimit të Organizuar Transnacional” UNTOC – tha Dr. Mareglen Tomori, President Ekzekutiv i International Police Organization IPO Headquarters.

Komisioni për Drogat Narkotike është një nga komisionet funksionale të Këshillit Ekonomik dhe Social të Kombeve të Bashkuara dhe është organi qendror i politikëbërjes për çështjet e drogës në kuadër të Sistemit të Kombeve të Bashkuara.

“Shqipëria ka nisur të ndërgjegjësohet se është pjesë e sistemit imunitar të një shoqërie të flasë me zë të lartë kundër rrezikut të drogës dhe të parandalojë sa me mirë të mundet rreziqet e tyre, – tha në mbyllje të takimit dy ditor Z. Franco Menga, Ekspert i Menaxhimit të Fatkeqësive dhe një prej vlerësuesve më të njohur europianë në analizën e riskut dhe krizave, përfshi ato me natyrë sociale. Të flasësh kundër drogës nuk është shenjë turpi për një shoqëri, siç ka qenë kjo e ngulitur në shoqëritë tradicionale, – nënvizoi Z. Menga, por është pjesë e përparimit të saj, pjesë e sfidës suaj të rritjes”.

Të pranishëm në takim, përfaqësues nga Prokuria, nga Shërbimet Sociale, Oficeret e Sigurise ne Shkolla, administrate publike dhe pushteti vendor, nga organizatat jo qeveritare dhe rinore falenderuan thellësisht folësit që ofruan statistika, të dhëna, detaje, informacione të trupëzuara në një numër materialesh filmike dhe print, që sipas të pranishmëve do të jenë shumë të vlefshme në punën e tyre të përditshme.

Gjithashtu shoqata italiane “No alla Droga” – pjesë e një rrjeti ndërkombëtar me qendër në Los Angeles, USA, shpjegoi në trajnimin e ditës së dytë metodologjinë më të mirë të komunikimit dhe të ndërveprimit me viktimat e drogës, por edhe me të gjitha grupet shoqërore përfshi fëmijët, të rinjtë, prindërit e tyre, etj. Z.Alessandro Greco dhe Z.Enrico Comi sollën përvojën botërore dhe ju përgjigjën pyetjeve të shumta dhe interesit të gjallë të të pranishmëve.

Ishte një nder i madh të merrja pjesë në këtë konferencë në Shqipëri, ku u shqyrtua përdorimi i drogës nga të rinjtë dhe ku u theksua rëndësia e parandalimit për përballimin e këtij fenomeni dhe me shumë kënaqësi vura re pjesëmarrjen aktive të institucioneve, shoqatave shqiptare dhe forcat e policisë. Bashkëpunimi dhe organizimi i të gjitha këtyre forcave të përbashkëta është ajo që nevojitet për të luftuar këtë problem të madh social – theksoi Presidenti i Shoqatës Italiane “No alla Droga” Z.Alessandro Greco.

Znj. Klaudia Hasanllari – Drejtoreshë e Qendrës së Parandalimit të Krimeve të të Miturve dhe të Rinjve QPKMR, Znj.Alma Tandili – Kryetare e Agjensisë Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijëve ASHDMF, Dr.Klarida Rrapaj – Kriminologe dhe Psikologe e angazhuar nga Ministria Italiane e Arsimit në Romë e pasuruan takimin me shumë të dhëna dhe informacione konkrete – përfshi një vision mbi politikat proaktive të qeverisë në luftën për parandalimin e drogës tek të rinjtë dhe fëmijët.

“Eshtë shum e rendesishme që të gjithë aktorët e kësaj beteje jetike për fatet e shoqërisë sonë bashkohen për të ndërtuar një dialog, një strukturë ideore dhe një plan të unifikuar veprimtarish që do të prodhojë rezultate të padiskutueshme” ne të gjithë ndajmë një mendim “ si do të jetë rinia sot, do të jetë e ardhmja e vendit nesër”. Jemi në një vend ku jetojmë të gjithë, ku rrisim fëmijet, ku kemi familjet tona ku jemi të vetëdijshëm dhe fenomenin e dim, problematikat i dim dhe nuk i fshehim por, ajo që duhet të bëjmë ne të gjithë është të punojmë cdo ditë me kurajo për ta fituar betejen kundër drogës, – u shpreh në takim Specialisti në Sektorin e Policimit në Komunitet, Kryekomisar Roland Alushani.

“Eshtë e udhës që tek të rinjtë dhe fëmijët të shkojmë me mjetet e tyre të komunikimit dhe me një koncept të ri të përdorimit të teknologjisë në komunikimin edukativ e parandalues”- nënvizoi në takim Z. Alban Bala, përfaqësues i shoqërisë LACONICS shpk, partner teknologjik i IPO-s.

International Police Organization është e pranishme në 48 shtete të botës dhe selia qëndrore e organizatës është në Milano, Itali. Organizata ka fituar një reputacion të spikatur duke përfshirë ekspertët më të mirë të sigurisë në Europë, Afrikë dhe Azi, ndërsa ajo bashkëpunon ngushtë me organizatat ndërkombëtare si Kombet e Bashkuara, Komisioni Europian, NATO, etj.

Është privilegj për mua të angazhohem bashkë me ju në aktivitete lidhur me parandalimin e përdorimit të drogërave. Unë vij nga radhët e policisë me një eksperiencë 35-vjeçare në qarkullimin rrugor, por edhe tani që jam në pension, kam vullnet,  energji dhe dëshirë për të kontribuar sa më shumë në këtë luftë të përbashkët kundër këtij fenomeni për tu siguruar që e ardhmja e fëmijëve dhe nipërve tanë të jetë sa më e mirë dhe më e sigurt. Falenderoj Presidentin Ekzekutiv të IPO-së Dr. Mareglen Tomori që mori guximin të bashkoi një rrjet profesionishtësh, te disa ministrive dhe institucioneve shqiptare për këtë qëllim  dhe më bëri pjesë jo vetëm si oficer policie por më besoi drejtimin e Seksionit IPO Albania – tha Presidenti i IPO Section Albania Z. Koço Simaku

E pranishme në konferencë ishte edhe Drejtoresha Ekzekutive e IPO Section Albania Znj. Alma Bime, njëkohësisht edhe Drejtor për Politikat Antitrafik dhe Migracion në Ministrinë e Brendshme të Shqipërisë, e cila theksoi rëndësinë e bashkëpunimit midis institucioneve shtetërore në këtë sfidë që nuk prek vetëm shoqërinë shqiptare por shkon përtej kufinjve.

Lufta kundër përdorimit të lëndëve narkotike është prioritet në nivel vendor dhe qëndror e cila kërkon jo vetëm përfshirjen e agjencive ligjzbatuese por edhe të institucioneve shëndetësore dhe shoqërisë civile.

Përdorimi i lëndëve narkotike është një fenomen që nuk mund të luftohet nëse do të konsiderohet detyrë vetëm e Policisë së Shtetit apo e ndonjë institucioni tjetër, lufta ndaj tij është një çështje që na prek të gjithëve dhe duhet ta luftojmë sëbashku pasi është një problem social i cili prek të gjithë shoqërinë duke i shkaktuar asaj kosto sociale dhe ekonomike.

“Përdorimi i drogës nga të rinjtë mbetet një problem shqetësues për shoqërinë tonë, ndaj ne do të rikthehemi në Shqipëri me veprimtari të tjera ndërgjegjësuese dhe jo vetëm kaq” – tha në fund të aktivitetit Dr. Mareglen Tomori, President Ekzekutiv i International Police Organization IPO HQ!