Nuk është hera e parë që kryeminstri i vendit Edi Rama sillet arrogant dhe intimidues me gazetarët, një rast i fundit ka qenë edhe kur ai shtyu gazetaren Ambrozia Meta. Këshilli Shqiptar i Medias se refuzimi publik i kryeminstrit për të kërkuar falje është arsyeja pse liria e shtypit në vend është në këtë gjendje.
Reagimi i plotë
Këshilli Shqiptar i Medias dënon me forcë sjelljen e Kryeministrit Rama në konferencën e sotme për shtyp, ku Kryeministri, pasi iu shmang pyetjeve të gazetares Ambrozia Meta, bëri një xhest të shëmtuar e intimidues, duke tentuar ta prekë në fytyrë gazetaren.
Kryeministri shqiptar duhet të kuptojë që nëse pyetjet e gazetarëve janë etike apo jo, nuk janë në tagrin e tij për ta përcaktuar. Detyra e Tij kushtetuese është që t’i përgjigjet pyetjeve që i bëhen nga gazetarët, në emër të audiencës së tyre dhe të interesirt publik, në kuadër të parimeve të transparencës dhe llogaridhënies që mbështesin një shoqëri demokratike.
Kryeministri shqiptar duhet të kuptojë që nuk ka pyetje të gabuara apo pyetje jo-etike, të gabuara ose jo-etike janë fyerjet që ai bën ndaj gazetarëve, me termat “padije” dhe “injorancë”. Këto përgjigje përbëjnë një agresion verbal që krijon një kulturë frikësimi ndaj gazetarëve për të bërë pyetje.
Refuzimi publik i Kryeministrit për të kërkuar falje pas këtij agresioni ndaj gazetares Meta, publikuar në platformën X, është një argument më shumë pse liria e shtypit në Shqipëri është në nivelet që paraqitet në të gjitha raportet ndërkombëtare.