Andi Bushati thotë se drejtësia po vijon të ndërhyjë në proceset zgjedhore, duke i hapur rrugë Edi Ramës për të konkuruar me kundërshtarë të dobësuar. 

I ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, Bushati renditi disa nga rastet kur SPAK dhe gjykatat kanë ndikuar në dobësimin e opozitës në zgjedhje.

“Për mua, është e paimagjinueshme, që Berisha të mendohet të udhëheqë Shqipërinë në 2025-2029. Por diskutimi nuk është ky.

Ne kemi liderin e opozitës të burgosur padrejtësisht. Ky është thelbi i problemit, jo se po rrezikohemi nga një ardhje e Berishës në pushtet. Në zgjedhje do të kemi kryetar opozite të izoluar.

Problemi im është, që kur ka filluar paçavurja e reformës në drejtësi, cfarë ka ndodhur? Na ka ndodhur që ky SPAK-u nuk ka këllqe për krimet e Durrësit dhe Dibrës, që dëgjuam me veshë. Një palë zgjedhje i amnistuan. Një palë të tjera e futën opozitën pa sigël, pa financim, pa vulë, etj. U bënë zgjedhje të tjera, fitoi një ditëzi në Himarë, futën drejtësinë, SPAK, gjykatat, ia rrëmbyen opozitës dhe ia dhanë Ramës prapë.

Tani po na përsëriten zgjedhjet e majit, që opozitën do e fusin në garë pa kryetar.

Nëse kjo drejtësi e re, po na shkatërron çdo garë politike, nuk është më debati, kemi Berishën kandidat apo jo, por kemi drejtësi që nuk lë njerëz që të konkurojnë me Edi Ramën.

SPAK nuk gjykon çështje por bën gjueti shtrigash. Jam dakord, është turp që Sali Berisha të mbrohet pas partisë. Por, duhet të shtrojmë pyetjen, Sali Berisha po goditet si ish kryeministër, apo si lider i sotëm i opozitës?

Se si KM ta fillonin nga Fatos Nano. Por nuk e prek njeri se nuk i prish punë njeriu. Por goditen Berisha, Meta, Beleri. Janë masha e Ramës për të shkatërruar zgjedhjet. Nëse do të isha anëtar i PD, do të mendoja, nëse këtu po më godasin liderin, padyshim çështja ime do të bëhet mbrojtja e liderit.

Kur ishte lider Basha, a ja hapën çështjen? Ku e ke sot? E mbyllën se Lul Basha nuk i prish më punë Edi Ramës. Drejtësinë e përdorin për të goditur kundërshtarët politikë.”, tha Bushati.