Nën zhurmën e lajmeve të fundit mbi shtetin e ri, instinktivisht mu ngritën disa pikëpyetje në mendje. Nëse vërtetë realizohet, do të më dukej sa interesante aq edhe eksperiment i çuditshëm sepse në fund të fundit, përse na duhet?
E teksa përpiqesha t’i jepja përgjigje pyetjeve, duke qenë se informacioni për momentin është i kufizuar se si do të jetë shteti i ri, si do të funksionojë, në lojë u fut imagjinata…
Me shtetin e ri të gjitha mangësitë që kemi hasur deri tani do të zgjidhen me një magji.
A do të ketë ujë 24 orë? Sigurisht! Në këtë shtet të ri, uji do të rrjedhë nga çdo rubinet, madje asnjë njeri të mos mbetet pa hidratuar, duke garantuar se çdo gotë është e mbushur me përkushtim dhe besim.
A do të ndodhin aksidente, sikurse jemi mësuar të dëgjojmë përditë? Po gjoba do të vendosi policia? Sigurisht që do të ndodhin. Në një vend ku të gjithë do të kenë lirinë të bëjnë çfarë të duan, aksidentet do të jenë një pjesë e pandashme e jetës përditshme. Megjithatë, aty do të jetë një ekip i shkëlqyer për të menaxhuar situatat, që do të quhet “Shërbimi i Aksidenteve pa Kufij”
Përsa i përket alkoolit, ai do të jetë i lejuar. Pse jo? Në një vend ku liria e shprehjes është themelore, ndalonim alkoolin do të ishte si të ndalonim ajrin. Çdo ditë do të organizohen festivale të verës dhe birrës, për të festuar jetën, traditat dhe gjithçka që na bashkon.
Po gratë, si do të vishen? Në këtë shtet të ri, gratë do të vishen si të duan. Qofshin ato me shami, apo me funde të shkurtër. Veshja e çdo gruaje do të jetë një shprehje e lirisë së saj, duke i dhënë fund normave të vjetra.
Kush do të jetojë aty? Të gjithë ata që besojnë në këtë ëndërr të re. Do të ketë shqiptarë, bektashinjtë dhe ndonjë turist që e sheh këtë si një aventurë.
A do të ketë shkolla dhe spitale?Patjetër! Të dyja do të jenë aty për të siguruar që qytetarët të kenë arsim dhe shëndetësi. Në shkolla do të mësohet si të menaxhohet një shtet i ri me ironinë e jetës, ndërsa spitalet do të trajtojnë aksidentet dhe do të ofrojnë trajtime për ata që i bien të fikët nga sasia e alkoolit.
