Mbrojtja e të dhënave në kujdesin shëndetësor është thelbësore për ruajtjen e konfidencialitetit të pacientëve dhe sigurimin e të dhënave të ndjeshme mjekësore. Më 17 shtator 2024, Prezenca e OSBE-së mbështeti Komisionerin për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale në organizimin e një aktiviteti ndërgjegjësues për mbi 70 pjesëmarrës nga institucionet e sektorit publik të kujdesit shëndetësor në Shqipëri. Gjatë takimit, Komisioneri paraqiti një rekomandim të unifikuar për zbatimin e ligjit për mbrojtjen e të dhënave në institucionet e kujdesit parësor

Ambasadori Michel Tarran, kreu i Prezencës, theksoi rëndësinë e vetëdijesimit të plotë të sistemit të kujdesit shëndetësor për kuadrin ligjor dhe mekanizmat që garantuan pajtueshmërinë. Ai theksoi se ky ndërgjegjësim duhet të përfshijë jo vetëm menaxhmentin dhe stafin, por edhe pacientët dhe anëtarët e familjeve të tyre, duke siguruar kështu mbrojtjen e privatësisë dhe sigurisë së të dhënave personale. Prezenca e OSBE-së shprehu mbështetje për miratimin e shpejtë të legjislacionit të nevojshëm dhe përgatitjen për zbatimin e tij.

Komisioneri Besnik Dervishi e cilësoi këtë takim si një hap të rëndësishëm për investimin e përbashkët në zbatimin e legjislacionit për mbrojtjen e të dhënave personale. Ai theksoi se ndihma e Zyres së Komisionerit, së bashku me vetëdijesimin e operatorëve dhe investimet në burime njerëzore dhe sisteme, janë vendimtare për garantimin e sigurisë së të dhënave.

Ky aktivitet, i organizuar në kuadër të projektit “Forcimi i mbrojtjes së të drejtave të njeriut në Shqipëri”, synon të nxisë një kulturë përgjegjshmërie dhe transparence në trajtimin e të dhënave personale. Prezenca e OSBE-së ka qenë një mbështetëse e gjatë e Komisionerit dhe ka organizuar aktivitete të ngjashme për rëndësinë e mbrojtjes së të dhënave në sektorë të ndryshëm, siç është edhe arsimi.