Aq keq shkon situata ndonjëherë sa vetë fëmija e ngre zërin dhe i drejtohet prindit që ta heqë atë telefon nga dora dhe të shihen në sy.

Telefonat me prekje quhen ndryshe dhe të zgjuar dhe me shumë të drejtë sepse ato fijet që nuk duken, sot kanë lidhur edhe më shumë e më fortë njerëzit drejt përdorimit të tij. Madje prej të paktën 10 vite po bëhen edhe studime të shumta të sjelljes njerëzore e cila nën ndikimin e teknologjisë po krijon varësi të pashmangshme. Nuk mund ta themi se si do jetë me saktësi zhvillimi i këtyre aparateve telefonike e më gjerë, por me siguri mund të themi se shumë njerëz do lënë takime gjithnjë e më të shpeshta tek psikoterapisti për tu shëruar nga vartësia e fortë e mjeteve teknologjike.

Dhe për ta kuptuar këtë mjafton thjesht të bësh një shëtitje dhe të vështrosh rreth e rrotull. Besoj ju ka rastisur të dilni dhe të shihni fëmijë të vegjël që shtyhen në karrocë nga prindërit dhe në dorë mbajnë celular. Këta fëmijë nuk shijojnë natyrën, ngjyrat, lulet, as nuk bëhen kurioz për kalimtarët, as për zhurmat rreth e qark. Ata kanë një celular në dorë dhe e shohin ngultas pa i hequr sytë një sekondë. Maksimumi tundin kokën nën ritmin e muzikës e një kënge në anglisht. Me këtë kuptohet sa të varur janë këta vogëlushë të cilët në këtë moshë duhet të hidhen sipas cicërimave, lëvizjeve të rastësishme apo çdo sendi që shohin. Ndoshta flasim dhe diskutojmë shpesh për abuzimet që iu bëhen fëmijëve duke listuar dhunën apo mungesën e edukimit. Por ta shëtisësh një fëmijë në natyrë dhe t`i japësh një celular në dorë është po ashtu abuzim.

Megjithatë ekspozimi i fëmijëve përpara ekranit nuk përfundon këtu, por vazhdon ose më mirë të themi ka nisur që në shtëpi. Më të drejtë shumë prindër e kanë problem procesin e të ushqyerit tek fëmijët dhe ankohen se iu duket mision i pamundur. Shumë prej tyre zgjedhin ta hutojnë, gënjejnë fëmijën me celular. Ata kënaqen që fëmija e tyre përfundoi pjatën me ushqim, edhe pse në mënyrë të pa vetëdijshme. Me shumë mundësi i vogli as nuk e di se ҫfarë hëngri. Në këtë mënyrë fëmija do i zgjasë “tekat” e tij në të ngrënë. Ai do e konsiderojë ushqimin dënim dhe që duhet ta pranojë vetëm kur merr shpërblim, qëndrimin para ekranit.

Pastaj vjen pjesa tjerët e ditës e cila duhet t`i përkasë argëtimit dhe lojërave aq të nevojshme për fëmijët. Dhe jo pak prindër e zgjidhin këtë pjesë duke i vendosur telefonin përpara që ai të argëtohet duke dëgjuar këngë apo duke parë filma me minuta apo edhe orë të tëra. Sipas një ankete të realizuar me prindër (anketa është realizuar online nga Marsida Simo sociologe dhe Erlinda M. Plyku psikologe) i janë drejtuar prindërve disa pyetje në lidhje me orët e qëndrimit të fëmijëve të tyre përpara ekranit si dhe zakonet që janë formuar në lidhje po me përdorimin e teknologjisë.

Pjesa me e madhe rreth 23.3% e të anketuarve theksuan se fëmija e tyre qëndronte përpara ekranit rreth 30 minuta në ditë. Ndërsa 20% e tyre i ekspozonin fëmijët rreth 2 orë përpara mjeteve teknologjike. Edhe pse një shifër e vogël diku më pak se 9% e prindërve i linin fëmijët edhe mbi 4 orë me telefon në dorë.

Shqetësuese si pjesë e këtij fenomeni është edhe “braktisja” e fëmijës kur ai është përpara ekranit të telefonit dhe sidomos kur është i lidhur me internetin. Me një të klikuar dhe para ekranit mund të shfaqet ҫfarë do informacioni.

Në këtë anketë prindërit u pyetën nëse qëndronin pranë fëmijëve kur këta të fundit përdornin telefonin. Edhe pse pjesa më e madhe ishin të kujdesshëm, kishte edhe prindër që ndonjëherë mund të ishin pranë fëmijëve gjatë minutazhit me telefon në dorë.

Pasojat psiko-sociale të fëmijëve të cilët ekspozohen përpara ekraneve

Pasojat në shëndetin fzik

Është mëse e kuptueshme se ndërsa fëmijët kalojnë më shumë kohë para monitorëve të kompjuterit, ata rrjedhimisht kalojnë më pak kohë në aktivitete fizike. Qëndrimi ulur që lidhet për një kohë të gjatë kthehet në një faktor kryesor i rrezikut për mbipeshën, shtrembërimit të shtyllës kurrizore si dhe deformime të tjera. Për disa fëmijë, imazhet që kalojnë me shpejtësi të faqeve të internetit dhe lojërave mund të shkaktojnë kriza epileptike (Sipas studimit nga Universiteti i Princeton).

Zhvillimi njohës

Fëmijët që kalojnë një pjesë të mirë të kohën përpara ekranit, krijojnë vartësi dhe e kanë gjithnjë e më të vështirë të njohin realitetin rreth e qark që është i lëvizshëm në kohë dhe hapësirë. Madje këta fëmijë e kanë më pak të vështirë të dallojnë realitetin nga fantazia duke e marrë të mirëqenë ҫdo gjë që ndodh brenda ekranit të vogël. Përqendrimi po ashtu mund të bëhet edhe më i vështirë e shoqëruar kjo me agresivitet dhe mos dëshirë për të marrë njohuri të reja.

Izolim dhe josocializim

Koha e kaluar në internet do të thotë më pak kohë kaluar me prindërit, apo familjarët e tjerë. Ndoshta prindërit justifikohen me mungesën e kohës nga angazhimet që kanë, por ata duhet të

jenë të vetëdijshëm se ҫfarë i kanë lënë në dorë fëmijës së tyre. Fëmijët marrin mesazhin se kështu funksionon bota dhe mësimet më të vlefshme në vitet e para të jetës i mësojnë nga ekrani që mbajnë në duar. Në momentin që ballafaqohen me shokun, mësuesen, tjetrin e kanë vështirë si ta nisin bisedën, njohjen duke përdorur komunikimin.

Dhunë, shumë dhunë

Pasojat e ekspozimit para ekranit janë të shumta, por ndër të tjera duhet përmendur sërish pa pushim edhe rënia preh e imazheve të papërshtatshme për moshën e të vegjëlve. Këtu duhet theksuar patjetër edhe pornografia, gjuha vulgare, imazhet me skena dhune të cilat mund të shfaqen vetëm me një klikim para syve të vogëlushëve.

Fëmijët nuk janë fajtor të mungesës së kohës së prindërve, sepse ata kanë të drejtë të gëzojnë të drejtat bazë të cilat i shërbejnë të rritet i shëndetshëm si fizikisht dhe mendërisht. Sepse realisht mjetet teknologjike nuk po i lejojnë të kenë as këto të drejta themelore.

Së pari ai telefon, ipad apo ҫdo mjet tjetër i teknologjisë duhet hequr nga dora e mamit edhe babit. Nuk mund të abuzohet në këtë mënyrë me fëmijën duke i vjedhur atij lojën, buzëqeshjen, socializimin, kontaktin me realitetin.

Mami dhe babi, hiqe telefonin dhe me ato duar nis të shpikësh lojëra për fëmijën tënd!