Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, numëroi të enjten disa kushte, plotësimi i të cilëve do të mundësonte shqyrtimin e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, në një deklarim që opozita e cilësoi si ndryshim të qasjes së tij ndaj Asociacionit mes trysninë perëndimore për themelimin e tij.

Në hapje të seancës së parlamentit të Kosovës ai tha se kushti i parë është që “Asociacioni duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi në Republikën e Kosovës”.

Asociacioni tha ai “nuk mund të jetë monoetnik, duhet të ndërrojë emrin, nuk mund të ketë asnjë pushtet publik apo ekzekutiv dhe duhet t’i shërbejë vetëm bashkëpunimit horizontal të komunave sipas Kushtetutës dhe ligjit per vetëqeverisje lokale”.

Asociacioni është pjesë e marrëveshjes përfundimtare dhe zbatohet pas njohjes së ndërsjellë tha ai, duke theksuar se para vendosjes së Asociacionit, “strukturat ilegale të Serbisë në veri të Kosovës duhet të shuhen dhe të bëhet dorëzimi i të gjitha armëve ilegale”.

Kushti i pestë tha ai është që “të drejtat e pakicave kombëtare dhe mekanizmat mbrojtës përkatës duhet ta ngërthejnë parimin e reciprocitetit ndërmjet dy shteteve respektive, si dhe të marrin parasysh standardet dhe modelet evropiane”.

Dhe kushti i gjashtë sipas tij është që presidenti i Serbisë t’i tërheq letrat e dërguara për “mospranimin e aplikimit të Republikës së Kosovës për anëtarësim në Bashkimit Evropian”.

Opozita e cilësoi këtë si ndryshim të madh në ligjërimin politik të kryeministrit Kurti.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, tha se 2 shkurti është datë e pranimit të Asociacionit nga kryeministri i Kosovës.